Pentaoni konfirmoi një sulm të fundit të forcave amerikane ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Oqeanin Paqësor, ku dy persona u vranë, ndërsa asnjë ushtar amerikan nuk u lëndua. Mjeti lundrues ishte i njohur nga agjencitë amerikane të inteligjencës dhe besohej se po transportonte drogë gjatë një rruge të njohur kontrabande.
Ky është sulmi i tetë që nga 2 Shtatori, por hera e parë që ndodh në ujërat e Paqësorit. Pjesë e operacionit është publikuar një video nga Pentagoni, që tregon gomonen blu në lëvizje para se të goditet nga forcat amerikane. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e quajti operacionin një përgjigje ndaj “narco-terrorizmit”, duke theksuar se nuk do të lejohet strehim për ata që helmojnë brigjet e SHBA.
Administrata Trump e ka përkufizuar situatën si një “konflikt të armatosur jo ndërkombëtar” me organizatat e trafikantëve të drogës, duke theksuar se mbi 36 persona janë vrarë gjatë këtyre operacioneve. Ndërkohë, tensionet midis administratës Trump dhe presidentit kolumbian Gustavo Petro janë rritur, me Trump që e quajti atë “lider të paligjshëm të drogës”.
Sipas Agjencisë Amerikane të Luftës kundër Drogës (DEA), shumica e kokainës që arrin në SHBA kalon përmes deteve në Oqeanin Paqësor. Sidoqoftë, sasia e sekuestruar në Karaibe ka filluar të rritet, ndonëse mbetet më e vogël përkundrejt asaj në Paqësor. Në këtë kontekst, aktualisht ShBA ka vendosur rreth 10,000 trupa, si dhe avionë dhe anije luftarake në Karaibe për të mbështetur operacionet antitrafik.
Megjithatë, identiteti i personave të vrarë në sulmin e fundit dhe lidhjet e tyre me organizatat e trafikut nuk janë bërë të ditura, duke lënë hapësirë për spekulime mbi natyrën dhe origjinën e këtyre aktiviteteve kriminale. Prandaj, situata mbetet e tensionuar ndërsa SHBA vazhdon të luftojë kundër trafikut të drogës në rajon.











