Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se lufta në Iran rrezikon të shkaktojë një “goditje globale, por asimetrike”, duke rënduar perspektivat ekonomike në mbarë botën, veçanërisht për vendet që sapo kishin nisur rimëkëmbjen nga krizat e mëparshme.
Sipas FMN-së, vendet në Afrikë dhe Azi që varen nga importet e naftës po përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi për të siguruar furnizime, “edhe me çmime më të larta”.
“Gjithçka çon drejt çmimeve më të larta dhe rritjes më të ulët ekonomike”, thekson institucioni, duke paralajmëruar se ndikimi përfundimtar do të varet nga kohëzgjatja e konfliktit. Nëse tensionet vazhdojnë, energjia do të mbetet e shtrenjtë dhe inflacioni i vështirë për t’u kontrolluar, në një klimë pasigurie dhe rreziku gjeopolitik.
Rritje e fortë e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve
Nafta e tipit Brent crude u rrit drejt 115 dollarëve për fuçi në tregtimet e së hënës, duke u drejtuar drejt rritjes mujore më të madhe të regjistruar, ndërsa tensionet në rajon përshkallëzohen.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur kërcënimet për goditje ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit, duke shtuar frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit që nisi më 28 shkurt.
Përtej energjisë, FMN paralajmëron se rritja e çmimeve të ushqimeve dhe plehrave kimike po prek vende nga Lindja e Mesme deri në Amerikën Latine. Vendet më të dobëta ekonomikisht përballen me rrezik të shtuar për pasiguri ushqimore, ndërsa ndërprerjet në furnizimin me lëndë ushqyese për bujqësinë – sidomos nga rajoni i Gjirit Persik – mund të dëmtojnë prodhimin bujqësor gjatë këtij viti.
Vendet e varfra më të ekspozuara
FMN thekson se popullsitë në vendet me të ardhura të ulëta janë më të rrezikuarat, pasi ushqimi përbën rreth 36% të shpenzimeve të tyre, krahasuar me 20% në ekonomitë në zhvillim dhe vetëm 9% në vendet e zhvilluara.
“Kjo do të thotë se çdo rritje e çmimeve të ushqimeve dhe plehrave nuk është vetëm problem ekonomik, por edhe social dhe politik, veçanërisht në vendet me burime të kufizuara financiare për të përballuar pasojat”, theksohet në analizë.
FMN pritet të publikojë muajin e ardhshëm raportin e plotë për perspektivën e ekonomisë globale, në kuadër të takimeve pranverore në Uashington, ku do të mblidhen ministrat e Financave dhe drejtuesit e bankave qendrore nga e gjithë bota.











