Nëna e 11-vjeçarit që u shpall i humbur një ditë më parë, ka folur ekskluzivisht për “Euronews”, ku ka thënë se djali është gjetur nga një qytetare që e ka sinjalizuar lidhur me të birin.
Ai u gjet në Portin e Durrësit, ndërsa ende nuk dihet se si ka shkuar deri atje. Sipas informacioneve, i mituri është larguar nga shtëpia për në shkollë pas një debati që kishte me të ëmën. Ai jeton me të ëmën në zonën e Freskut, pasi prindërit janë të divorcuar.
Djalin unë e kam nisur për në shkollë, me furgonin e shkollës dhe në momentin që djali nuk ka shkuar në shkollë mua më ka njoftuar mësuesja
Jam zgjuar dhe kam shkuar tek shkolla, kam kërkuar nëpër lagje, me atë idenë që mos ka ikur për ndonjë lojë por ai nuk ekzistonte në lagje
Kemi hapur kamerat e shkollës por s’kemi parë gjë. Ku s’e kam kërkuar dje dhe nuk kisha asnjë kontakt. Pastaj nga ora 5 e gjys kam ardhur në Komisariat por kallëzimin e përfundova sot
Sot që bëra kallëzimin më merr një grua në telefon pas dy orësh dhe më thotë “djali juaj është parë në portin e Durrësit”. Djali i tha asaj gruas se donte të shkonte në Kosovë, por ajo i tha: “Jo do rrish këtu me ne”. Djali filloi të qante
Telefonoj vëllain dhe ai niset direkt për atje dhe aty ka dalë patrulla dhe kanë gjetur djalin
Unë e kisha “dënuar” sepse para disa ditësh kishte pirë cigare me një shok “mistrec”, dhe i kisha thënë që nuk do të të japë më lekë për bukë sepse ke bërë një gabim tek shkolla
Nuk ia kam idenë si ka shkuar deri në Portin e Durrësit por shpresoj që ta zbuloj! Dua ta zbuloj sepse nesër mund të më ndodhë prapë kjo gjë, dhe do i lutesha çdo nëne të mos e linin fëmijën vetëm. Unë si nënë, e kam përjetuar shumë keq dhe nuk do e lë më vetëm asnjëherë në botë. Sepse qenka një dhimbje shumë e madhe, edhe gëzim edhe dhimbje, por mendoj që sot duhet t’i përkushtohemi më shumë fëmijëve










