Zohran Mamdani, 34 vjeç, kongresmen nga Queens-i dhe anëtar i Socialistëve Demokratë të Amerikës, është zgjedhur kryetar bashkie i Nju Jorkut në SHBA.
Ai është myslimani i parë në historinë e qytetit që mban këtë detyrë dhe një nga më të rinjtë ndonjëherë. Fitorja e tij, ndaj ish-guvernatorit Andrew Cuomo, shënon një pikë kthese politike për “Big Apple”-n dhe të gjithë Partinë Demokratike, me një zhvendosje të qartë drejt së majtës progresive.
Djali i akademikut nga Uganda, Mahmood Mamdani dhe regjisores indiane, Mira Nair, kryetari i ri i bashkisë, mishëron diversitetin kulturor dhe fetar të një metropoli në zhvillim të vazhdueshëm.
Origjina dhe arsimi
I lindur në Kampala, Ugandë, më 18 tetor 1991, Zohran Kwame Mamdani u rrit në një mjedis intelektual dhe multikulturor.
Por si një yll në ngritje për demokratët, edhe pse një qytetar i natyralizuar amerikan, nuk do të mundet të bëhet kurrë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ligji parashikon se çdo kandidat duhet të ketë lindur në SHBA nëse synon të garojë Shtëpinë e Bardhë.
Babai i tij, Mahmood Mamdani, është një nga studiuesit më të njohur afrikanë të politikës dhe kolonializmit, ndërsa nëna e tij, Mira Nair, është një regjisore me famë ndërkombëtare e filmave si Monsoon Wedding dhe The Namesake.
Familja u zhvendos fillimisht në Afrikën e Jugut dhe më pas në Nju Jork, ku Zohran mbërriti në moshën 7 vjeç.
Nga aktivizmi, në politikë
I përfshirë në lëvizjet për të drejtat e qiramarrësve dhe transportin publik të aksesueshëm, Mamdani u dallua si një aktivist në një nga lagjet e famshme të Nju Jorkut, Queens.







