Me dritën e qirinjve në duar, simbol i fitores së dritës mbi errësirën dhe jetës mbi vdekjen, besimtarët katolikë në Shkodër kremtuan vigjiljen e festës së Pashkëve.
Në meshën e shenjtë të udhëhequr në Katedralen e “Shën Shtjefnit” nga arqipeshkvi Giovanni Peragine, besimtarët morën lajmin e gëzueshëm. Mesazhi i Pashkës është ai i ringjalljes së shpresës për të gjithë ne, sidomos në kohët e vështira që po jetojmë, theksoi në fjalën e tij Peragine.
Besimtarët katolikë u lutën për vendet në luftë dhe për zonat me trazira, që Pashka të sjellë dritën e shpresës.
Qindra familje katolike kremtuan festën e Pashkëve edhe në qytetin e Lezhës, mbrëmjen e së shtunës. Me qirinj të ndezur në duar ata iu bashkuan ritualit fetar në Katedralen e “Shën Nikollit”. Mesha e Shenjtë u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Imzot Otavio Vitale, i cili theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj nate.
Edhe në qytetin e Korçës, besimtarët katolikë festuan me përkushtim dhe devocion Pashkën, duke marrë pjesë në meshën solemne të Ringjalljes. Atmosfera ishte e mbushur me lutje, këngë liturgjike dhe mesazhe shprese, teksa u kremtua fitorja e jetës mbi vdekjen.
Rreth 300 familje katolike nga Berati dhe Kuçova u bashkuan në Kishën “San Luca” në Kuçovë, ku u mbajt Mesha e Shenjtë e Pashkës. Ajo u drejtua nga prifti Giuseppe Tossi.
Ringjallja e krishtit u lremtua ne te gjithe vendin ku besimtarët katolikë përcollën mesazhe për më shumë paqe e dashuri në familjet e tyre.











