Marco Van Basten, legjenda e futbollit holandez dhe Milanit, ka njoftuar tërheqjen e tij përkohshme nga aktivitetet si komentator për t’u përkushtuar gruas së tij, Lisbeth, e cila po kalon një periudhë të vështirë shëndetësore. I njohur për arritjet e tij fenomenale në fushën e futbollit, Van Basten vendosi që prioriteti i tij është familja, duke theksuar se sfidat më të mëdha ndodhin jashtë stadiumeve.
Kanali Ziggo Sport, ku ai komentonte ndeshjet, konfirmoi lajmin e tërheqjes së tij, duke shprehur solidaritetin për Lisbethin dhe familjen e tij. Në një deklaratë, drejtori i stacionit, Marcel Beerthuizen, theksoi se do të ishte një periudhë e vështirë për ta dhe u shprehu urimet më të mira për shërim të shpejtë.
Marco shpjegoi vendimin e tij dhe u shpreh se do të përkushtohet plotësisht në trajtimin dhe rikuperimin e Lisbeth. “Po kalojmë një periudhë të vështirë, por jemi optimistë për një rezultat pozitiv,” tha ai. Ky vendim është një dëshmi e dashurisë së tij të thellë për Lisbeth pas më shumë se 40 vjetësh së bashku. Çifti u njoh për herë të parë në vitin 1987, kur Van Basten u transferua në Milan. Pavarësisht sfidave të shumta që e shoqëruan karrierën e tij, Lisbeth ishte gjithmonë aty për të mbështetur.
Ata u martuan në vitin 1993 në Utrecht, dhe kanë tre fëmijë. Van Basten, i cili është fitues i tre Topave të Artë dhe ka arritur lumturi në karrierën e tij, tani përqendrohet në dhënien e mbështetjes më të madhe për gruan e tij, e cila ka qënë e pranishme në çdo hap të gjurmës së tij sportive dhe personale.
Tërheqja e tij nga komentimi është një pasqyrë e rëndësisë së lidhjeve njerëzore dhe se ndonjëherë, në momentet më të vështira, jeta jashtë sportit merr përparësi.











