Një incident i rëndë dhune është shënuar mbrëmjen e 16 dhjetorit në Strasburg, ku protagonist është eurodeputeti grek i SYRIZA-s, Nikos Pappas.
Ai akuzohet se ka sulmuar fizikisht gazetarin grek Nikos Giannopoulos, pas një konflikti që nisi në ambientet e një lokali në qendër të qytetit.
Sipas mediave greke, eurodeputeti dhe një grup gazetarësh që ndodheshin në Strasburg për të ndjekur punimet e seancës plenare të Parlamentit Europian, ndodheshin në të njëjtin restorant-bar, por jo në të njëjtën shoqëri.
Në momentin që disa prej gazetarëve po largoheshin nga lokali, Pappas është ngritur dhe i ka kërkuar gazetarit Giannopoulos të fliste me të, duke e akuzuar se e kishte shtyrë dhe nuk kishte kërkuar falje.
Gazetari ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk e kishte prekur eurodeputetin dhe se ishte përpjekur të shmangte konfliktin. Megjithatë, situata ka agravuar dhe ka përfunduar me dhunë fizike në mes të rrugës.
Pas incidentit, Nikos Giannopoulos, i shoqëruar nga dëshmitarë okularë, është paraqitur në komisariatin lokal të policisë ku ka bërë kallëzim penal ndaj eurodeputetit.








