Në fund të shkurtit, euro ka zbritur në nivelin më të ulët historik në Shqipëri, duke u këmbyer me 96.35 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Në pikat e këmbimit valutor, qytetarët raportojnë se monedha europiane po blihet edhe me çmime më të ulëta, duke konfirmuar trendin e vazhdueshëm të zhvlerësimit.
Ekspertët e lidhin këtë situatë kryesisht me rritjen e remitancave nga emigrantët, të cilët po dërgojnë më shumë para për familjet e tyre në Shqipëri. Sipas ekonomistes Romina Radonshiq, zakonisht në muajt prill dhe maj, me nisjen e sezonit turistik, pritet shtim i qarkullimit të euros, por këtë vit rënia e kursit ka vijuar.
Ajo thekson se pensionet e ulëta i detyrojnë shumë familje të mbështeten tek remitancat për të përballuar kostot e jetesës. Ndërkohë, promovimi i Shqipërisë si destinacion turistik ka rritur investimet, veçanërisht në pasuritë e paluajtshme, ku një pjesë e konsiderueshme e shitjeve vijon të kryhet në euro.
Të dhënat tregojnë se në 9 muajt e parë të vitit 2025, emigrantët kanë dërguar rreth 817 milionë euro. Megjithatë, krahasuar me një dekadë më parë, euro ka humbur rreth 30% të vlerës së saj në raport me lekun. Investimet e huaja direkte, një tjetër burim i rëndësishëm i valutës, arritën në 1.2 miliardë euro dhe pritet të mbeten në rritje edhe gjatë vitit 2026.
Nga ana tjetër, forcimi i lekut po krijon vështirësi për eksportuesit, të cilët prej tre vitesh përballen me sfida të njëpasnjëshme. Të dhënat makroekonomike tregojnë rënie të inflacionit dhe ulje të çmimeve të produkteve të importuara si pasojë e kursit të favorshëm.
Për të menaxhuar situatën, Banka e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë vitit 2026 planifikon të blejë mes 330 dhe 450 milionë euro përmes ankandeve, me synim rritjen e rezervave valutore dhe stabilizimin e kursit të këmbimit.










