Një ngjarje e rëndë ndodhi në Arezzo, Itali më 21 mars. Gjergj Pergegaj, 29 vjeç u vra nga një shqiptar për motive xhelozie.
Sipas mediave vendase, 35-vjeçari Edison Beluli ka pranuar vrasjen e 29-vjeçarit Pergegaj.
Gjykatësi Claudio Lara ka konfirmuar arrestimin e Belulit, por në kundërshtim me kërkesën e prokurores Emanuela Greco, ka rrëzuar akuzën për vrasje me paramendim. Sipas tij krimi i dyshuar është kryer në mënyrë impulsive.
Ndërkohë, në trupin e viktimës do të kryhet autopsia nga ekspertët e mjekësisë ligjore të Universita di Siena, pranë spitalit Le Scotte.
Sipas hetimeve paraprake, 29-vjeçari është qëlluar me tre plumba, në fyt dhe në kraharor, ndërsa një plumb i katërt nuk e ka goditur. Autoritetet bëjnë të ditur se nuk ka pasur përplasje fizike mes palëve para ngjarjes.
Hetimet, të zhvilluara nga policia e Arezzo, zbulojnë se arma e përdorur, një pistoletë tip Glock, rezulton e vjedhur nga një banesë në Assisi rreth një vit më parë. Sipas gjykatësit, dyshohet se autori e mbante armën vazhdimisht me vete dhe nuk e kishte marrë posaçërisht për të kryer vrasjen.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, motivi i krimit lidhet me çështje sentimentale. Viktima dyshohet se ishte ish-partneri i një vajze me origjinë rumune, me të cilën Beluli kishte nisur një lidhje.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, kur Pergegaj mbërriti pranë lokalit ku punonte e reja. Pasi zbriti nga makina, ai u qëllua me armë zjarri. Skena është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe, sipas hetimeve, gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash, pa përplasje apo debate të mëparshme.










