Një seri e re dokumentesh lidhur me çështjen Epstein ka zbuluar një komunikim privat mes ish-gazetarit amerikan Landon Thomas Jr dhe financierit Jeffrey Epstein. Në emailin e tij të dërguar në janar 2015, Thomas Jr sugjeron se Princi Andrew kishte pasur një marrëdhënie konsensuale me një punonjëse të Epstein, duke theksuar se lidhja e tij me Epstein po “mbante gjallë historinë” e akuzave ndaj tij. Ai kërkon që Epstein të distancohet nga Andrew, duke e caktuar atë si burimin e rikthimit të vazhdueshëm të akuzave.
Pavarësisht miqësisë së ngushtë me Epstein, Princi Andrew ka mohuar gjithmonë çdo dijeni apo përfshirje në krimet seksuale të tij. Thomas Jr, i konsideruar si i afërt me Epstein, u kontaktua nga The Telegraph pas publikimit të dokumenteve dhe theksoi se komentet në email ishin reflektime të raportimeve të medias, dhe se nuk kishte informacion të drejtpërdrejtë nga Epstein.
Këto zhvillime vijnë menjëherë pas zbulimit të një emaili tjetër nga Ghislaine Maxwell – e cila është dënuar për trafikim seksual – ku përmendet një “masazh” që Princi Andrew kishte marrë në shtëpinë e saj në Belgravia. Emri i Andrew është i lidhur ngushtësisht me rastin që nga akuzat e Virginia Giuffre, e cila pretendon se ka pasur marrëdhënie me të kur ishte 17 vjeç.
Tensioni publik rreth Andrew është rritur në mënyrë të ndjeshme, duke e çuar Mbreti Charles që t’i heqë të gjitha titujt mbretërorë muajin e kaluar. Nga ana tjetër, disa anëtarë të Kongresit amerikan i kanë dërguar një thirrje zyrtare ish-Dukut të York për të dëshmuar rreth miqësisë së tij me Epstein, megjithatë ai nuk ka detyrim ligjor për të paraqitur.
Kjo seri zbulimesh vjen në prag të publikimit të një numri të madh dokumentesh të tjera mbi çështjen Epstein, që pritet të deklasifikohen brenda 30 ditëve, pas miratimit nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve. Dosjet aktualisht presin firmën e Presidentit Donald Trump për t’u bërë publike.










