Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin e vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchit. Kamber Sulçaj rezulton që të jetë aksioner në një gurore në Brataj të Selenicës në Vlorë, të quajtur “Stone Quramenga”.
48-vjeçari është aksioner me 25%, së bashku me babain e tij Delo Sulçaj i cili ka 20% të aksioneve dhe vëllain Akil alias Ermal Sulçaj me 15% të aksioneve Gjithashtu në këtë gurore janë aksionerë edhe dy persona të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me familjen Sulçaj. Përveç aksioneve në gurore Sulçaj ka edhe një stan me bagëti.
Po ashtu Kamber Sulçaj dhe familjarë të tij janë emra të njohur për policinë. Në maj të vitit 2021, në Vlorë u arrestuan vëllai i tij Gazmendi, së bashku me një kushëri të tyre Roel Sulçajn. Këta të dy u kapën me 2632 fara kanabisi të cilat do t’i shisnin me qëllim kultivimin.
Sipas policisë, Sulçaj ka qëlluar me armë drejt biznesmenti italian dhe personave që e shoqëronin atë dhe automjeve të tyre pas një konflikti për motive të dobëta. Hetuesit përmes kamerave të sigurisë në segmente të ndryshme rrugore kanë mundur të dokumentojnë itinerarin e lëvizjes së 48-vjeçarit përmes makinës së tij ngjyrë të bardhë. Sulçaj akuzohet për 3 vepra penale; vrasje në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.











