Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) do të zhvillojë një votim vendimtar nëse Izraeli do të marrë pjesë në Konkursin e Këngës Eurovision 2026, i cili pritet të mbahet në Austri. Vendimi vjen pas presionit në rritje nga disa vende anëtare që kërkojnë përjashtimin e Izraelit, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Gaza.
Presidentja e EBU-së, Delphine Ernot-Cunci, në një letër drejtuar transmetuesve anëtarë, theksoi se çështja ka sjellë një “diversitet të paparë pikëpamjesh” mes vendeve pjesëmarrëse. Sipas saj, Këshilli Ekzekutiv nuk arriti të gjejë një konsensus, për shkak të natyrës përçarëse të debatit.
“Këshilli beson se Eurovision duhet të mbetet një hapësirë për përfshirje dhe dialog kulturor, vlera që përfaqësojnë thelbin e medias publike,” – shkruhet në letër. Megjithatë, përballë ndasive të thella, Këshilli vendosi që çështja të shtrohet për votim demokratik në një Asamble të Përgjithshme të jashtëzakonshme.
Ky takim virtual do të mbahet në fillim të nëntorit, ku të gjithë anëtarët e EBU-së do të kenë mundësi të shprehin qëndrimin e tyre mbi pjesëmarrjen e Izraelit në edicionin e ardhshëm.
Nga ana e tij, transmetuesi publik izraelit KAN reagoi duke shprehur shpresën që “Eurovision-i të vazhdojë të ruajë karakterin e tij kulturor dhe jo politik.”
Rezultati i këtij votimi pritet të përcaktojë një nga vendimet më të diskutueshme në historinë e garës muzikore më të ndjekur në Evropë.