Studiuesit e Harvard University kanë ndjekur për më shumë se 85 vjet jetën e qindra familjeve dhe kanë arritur në një përfundim befasues: të kesh një motër ndikon tek njeriu më shumë se çdo marrëdhënie tjetër familjare dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndjenjat e ngrohta.
1. Më pak hormone stresi
Personat që kanë motër kanë mesatarisht 15–20% më pak nivel të kortizolit, hormonit të stresit. Kjo ndodh edhe kur jetojnë në qytete të ndryshme dhe takohen vetëm një herë në vit. Mjafton të dish se diku është dikush që mban mend të dashurin tënd të parë qesharak, byrekun karakteristik të mamit apo atë dritaren që u thye dikur. Vetëdija që ekziston një person para të cilit nuk ke nevojë të bësh sikur je dikush tjetër, ul ndjeshëm ankthin.
2. Motra si “sistem nervor i jashtëm”
Në momente krize, motra funksionon si një rregullator i jashtëm i stresit. Kur mendja është e mbingarkuar, një bisedë pesëminutëshe me të mund të ulë ndjeshëm tensionin. Ajo nuk e zgjidh domosdoshmërisht problemin, por krijon një atmosferë ku problemi nuk duket më katastrofik. Nuk jep këshilla pa i kërkuar, nuk gjykon dhe nuk përpiqet të “rregullojë” gjithçka. Thjesht qëndron në telefon me ty dhe të thotë: “Jam këtu.”
3. Mbrojtje në momentet e mëdha të jetës
Gratë që kanë motra diagnostikohen më rrallë me depresion gjatë menopauzës ose pas një divorci. Ato e marrin veten më shpejt pas periudhave të vështira. Kanë dikë me të cilin mund të qeshin duke parë fotografi të vjetra, të kujtojnë zënkat e fëmijërisë dhe të kuptojnë se sot nuk e imagjinojnë dot jetën pa njëra-tjetrën.
4. Inteligjencë emocionale tek fëmijët
Fëmijët që rriten me motra arrijnë të lexojnë më mirë emocionet që në moshën 10-vjeçare, lidhen më lehtë me njerëz të rinj dhe përballojnë më mirë bullizmin në shkollë. Motra është personi i parë me të cilin duhet të negocosh për një lodër, e para që të mëson si të pajtohesh pas një zënke dhe që të tregon se dashuria nuk zhduket edhe kur e bezdisni njëri-tjetrin.
5. Jetë më e gjatë
Shkencëtarët e Harvardit madje kanë bërë edhe një vlerësim: kontakti i rregullt me një motër mund ta zgjasë jetën mesatarisht me rreth 10 vjet. Jo sepse ajo zgjidh problemet apo të jep para, por sepse prania e saj ul hormonet e stresit dhe aktivizon mekanizmat e rikuperimit të trupit. Imuniteti funksionon më mirë, zemra rreh më qetë dhe qelizat plaken më ngadalë.











