Për herë të parë që nga krijimi i tij, SPAK ka marrë një të penduar drejtësie në një hetim për korrupsion të nivelit të lartë. Bëhet fjalë për çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Ajola Xoxës, Adela Kondakçiu, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë në këmbim të lehtësimit të dënimit.
Kondakçiu, e konsideruar si truri financiar i Xoxës, ka rrëfyer përpara hetuesve të SPAK skemën e korrupsionit dhe pastrimit të parave, duke dorëzuar dokumente të rëndësishme dhe informacione për aktivitetet financiare të dyshuara të çiftit Veliaj-Xoxaj.
Megjithëse vetë e pandehur në proces, ligji i garanton asaj një ulje të ndjeshme të dënimit në fund të gjykimit, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë.
SPAK ndërkohë ka në dorë një sasi të konsiderueshme provash, përfshirë dëshmitë e 97 personave, kontrata të shumta, bilance financiare, si dhe biseda të përftuara nga telefonat e sekuestruar. Të gjitha këto pritet të shërbejnë për të provuar akuzat e ngritura ndaj Veliajt, Ajola Xoxës dhe personave të tjerë të përfshirë në dosje.