Një mister detar që kishte mbetur i pazgjidhur për më shumë se 150 vjet është zbardhur pasi zhytësit kanë zbuluar më në fund rrënojat e anijes me avull City of Hobart pranë brigjeve të Victoria, në Australia. Anija prej hekuri u gjet rreth 30 kilometra larg bregdetit të Gippsland, pas pothuajse dy dekadash kërkimesh nga një ekip zhytësish dhe studiuesish të historisë detare.
City of Hobart ishte fundosur në vitin 1877 teksa transportonte një ngarkesë qymyri nga Newcastle drejt Melbourne. Aksidenti ndodhi pasi boshti i helikës u thye dhe depërtoi në trupin e anijes, duke shkaktuar dëme fatale që çuan në fundosjen e saj. Kapiteni dhe ekuipazhi arritën të braktisnin anijen me varka shpëtimi dhe u shpëtuan të nesërmen nga një anije që po kalonte rastësisht në zonë.
Rrënojat u gjetën nga një ekip zhytësish të udhëhequr nga studiuesi Mark Ryan, bashkëthemelues i Southern Ocean Exploration. Ekipi kishte nisur kërkimet që në vitin 2007 dhe për vite me radhë ishte i bindur se ndodhej shumë pranë vendndodhjes së anijes. Zbulimi erdhi në mënyrë të papritur, kur një anije kërkimore që po kryente matje për një park eolik në det të hapur identifikoi një objekt në fund të detit në zonën që po studiohej. Pas këtij sinjali, zhytësit u zhytën dhe konfirmuan se bëhej fjalë për rrënojat e City of Hobart.
“Të zhytesh për herë të parë në një rrënim të tillë është e pabesueshme. Dhe të jesh ekipi i parë që e sheh atë është diçka mahnitëse. Ne e kemi kërkuar këtë anije për gati njëzet vjet,” tha Ryan. Zbulimi i ri ndihmon në zgjidhjen e një prej shumë mistereve detare të shtetit të Victoria, ku janë të regjistruara rreth 660 anije të mbytura.
Megjithatë, vetëm rreth gjysma e tyre janë identifikuar deri më tani. Një nga misteret më të mëdha që mbetet ende i pazgjidhur është zhdukja e anijes Madagascar, e cila u fundos në vitin 1853 ndërsa transportonte ar nga Victoria, një ngarkesë që sot vlerësohet rreth 500 milionë dollarë. Historianët e konsiderojnë gjetjen e saj si një nga zbulimet më të mëdha të mundshme në historinë detare.
Zbulimi i City of Hobart u bë gjatë studimeve për projektin energjetik Aurora Green.











