Tre të mitur janë gjetur të braktisur nga e ëma në banesën e tyre në Durrës, pasi fqinjët kanë dëgjuar të qarat e fëmijëve dhe kanë njoftuar policinë. Ndërhyrja është kryer paraditen e sotme, me hyrje të detyruar në banesë.
Nëna, e divorcuar, është gjetur dhe është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime. Ende nuk dihet gjendja e saj psikologjike.
Sipas burimeve, fëmijët kishin rreth tre ditë pa ushqim dhe prej një muaji nuk kishin ndjekur shkollën. Ata janë gjetur të mbuluar me batanije për shkak të të ftohtit, ndërsa banesa ishte në gjendje të rëndë rrëmuje, me rroba të shpërndara në dysheme.
Fëmijët i janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe janë konstatuar me probleme shëndetësore të lidhura me gjendjen e braktisjes. Aktualisht ata janë marrë nën kujdesin e organeve përkatëse.
Bëhet e ditur se pallati ku ndodhej banesa ka qenë i përmbytur gjatë reshjeve të ditëve të fundit dhe për tre ditë fëmijët kanë qenë të izoluar për shkak të ujit.










