Durim Bami, i esktraduar përpara dy ditësh nga Dubai, përmes avokatit të tij është përballur me Gjykatën e Posaçme në lidhje me masën e sigurisë të dhënë për të gjatë kohës kur ishte në arrati.
Vetë Durim Bami nuk ishte prezent në seancë, por është përfaqësuar ng apala mbrojtëse e cila i ka kërkuar Gjykatës një masë më të lehtë si ajo e arrestit në shtëpi, por togat e zeza rrëzuan kërkesën duke lënë në qeli klientin e tij.
Gjithashtu gjatë seancës avokati ka ngritur shqetësimin se klientit të tij po i rrezikohet jeta në burgun 313 ndaj kërkesa e tij po shqyrtohet nga Drejtoria e Burgjeve për tranferimin e tij në një burg tjetër.
Ishte Prokuroria e Posaçme që shpalli në kërkim Durim Bamin në kuadër të dosjes Revanshi i akuzuar për kultivim të parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës. Ndër të tjera ai akuzohet si personi që kishte porositur disa herë vrasjen e ish-deputetit të PS-së në Lezhë, Arben Ndoka.
Lufta mes Bamit dhe Ndokës kishte nisur më herët, pasi i forti i Niklës kishte dyshime se ish-deputeti kishte kërkuar ta eliminonte. Kjo pasi Ndoka kishte dyshime se Bami ishte një nga personat që kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Sipas dosjes voluminoze Durim Bami akuzohet gjithashtu edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinaj, Erigers Mihasin dhe Tori Xheçukën.
Sa i takon aktivitetit kriminal SPAK argumenton në dosje se Durim Bami përpos atentateve dhe vrasjeve ku faktohet si i përfshirë, kishte një rol të madh ku kontrollonte drogën e mbjellë nga bregdeti i Adriatikut deri në Malësinë e Krujës ku madje kishte mbështetjen edhe të policisë.










