Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në fjalën e tij përfundimtare në Hagë tha se ZPS-ja (Zyra e Prokurorit të Specializuar) nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer ndonjë krim.
Ai theksoi se nuk u provua asnjë veprim nga ana e tij.
“E di çfarë do të thotë të jetosh nën kërcënim të vazhdueshëm, një përvojë që s’ia dëshiroj askujt. Kam mësuar një të vërtetë, në padrejtësi, njeriu duhet të ruajë integritetin moral dhe vlerat themelore humane. Disa mund të pyesin nëse këto janë vetëm fjalë apo nëse pasqyrohen në jetën dhe veprimet e mia. Përgjigjja është e qartë, jo vetëm në fjalët e mia, por mbi të gjitha në provat e paraqitura para kësaj gjykate. Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk u provua asnjë veprim nga ana ime”, deklaroi Veseli.
Ai tha se jeta e tij kishte kuptim vetëm nëse populli i Kosovës jetonte në liri.
“Terrori dhe masakrat si ato në Srebrenicë filluan me ndodhë edhe në vendin tim, në Kosovë. S’mund të qëndroja indiferent. Jeta ime kishte kuptim vetëm nëse populli im mund të jetonte në liri, prandaj u ktheva në Kosovë. Jo si ushtar i trajnuar, por si student”, tha Veseli.
Gjatë fjalës përfundimtare në sallën e Gjykatës Speciale, ai tha se e di kush është dhe çfarë ka bërë dhe shprehu bindjen se drejtësia mund të vonojë, por jo të mohohet.
“Krijimi i kësaj gjykate është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim, por mbi të gjitha, ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e së vërtetës dhe në realitetin objektiv në të cilin kemi vepruar. Qëndroj këtu me bindje dhe me besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia, dhe se drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë. Kam jetuar me këtë bindje. E di kush jam, e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë”, deklaroi ish-komandanti i UÇK-së.











