Sot u zhvillua seanca në Gjykatën e Posaçme lidhur me dosjen “Partizani”, ku avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha paraqitën kundërshtimet e tyre ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Mbrojtja argumentoi se SPAK ka tejkaluar kompetencat e tij, duke theksuar se vetëm Gjykata Kushtetuese ka të drejtën të vlerësojë ligjshmërinë e veprimeve administrative dhe politikave qeveritare. Sipas avokatëve, kërkesa për gjykim nuk ka bazë të qartë ligjore.
Ata theksuan se mungon çdo provë konkrete për kryerjen e ndonjë veprimi të paligjshëm nga Sali Berisha. Sipas tyre, SPAK e mbështet akuzën në veprime të përgjithshme administrative, pa identifikuar ndonjë shkelje specifike të ligjit nga ish-kryeministri.
Avokatët pretenduan se prokuroria ka bërë deduksione të gabuara, pa paraqitur prova që vërtetojnë ekzistencën e një marrëveshjeje për privatizim apo përfitim ryshfeti nga ana e Berishës, duke e mbështetur çështjen në spekulime.
Mbrojtja akuzoi gjithashtu se procesi penal është ndikuar politikisht. Ata iu referuan deklaratave të kryeministrit Edi Rama, ambasadores Yuri Kim dhe ish-zyrtarit amerikan Gabriel Escobar, të cilët, sipas tyre, kanë krijuar presion mbi SPAK-un për hetimin e kësaj çështjeje.
Sipas avokatëve, kallëzimi i bërë nga shumica parlamentare ka kaluar afatet ligjore dhe përmban pasaktësi, të cilat, sipas tyre, nuk janë hetuar siç duhet nga prokuroria.
Në përfundim, mbrojtja e Sali Berishës kërkoi rrëzimin e akuzave, duke i cilësuar ato të pabaza dhe të motivuara politikisht. Seanca e sotme konsiderohet një moment i rëndësishëm për vijimin e procesit dhe për zhvillimet e mëtejshme të kësaj çështjeje në sistemin e drejtësisë.











