Policia arrestoi në malin e Tomorrit Dorian Beun, 46 vjeç, i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë drejt Italisë. Ai kishte masë sigurie “arrest në burg” të vendosur nga GJKKO dhe ishte në listën e 21 personave të hetuar në dosjen e trafikut ndërkombëtar. Hetimi i përbashkët mes SPAK dhe Prokurorisë së Bergamos dokumentoi transportin e 120 kilogramëve kokainë, 15 kilogramëve heroine, 129 kilogramëve marijuanë dhe 92 kilogramëve hashash, të sekuestruara në disa operacione në Itali.
Grupi, i drejtuar nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, kishte aktivitet të vazhdueshëm në Durrës dhe në qytete si Milano, Torino, Bergamo dhe Breshia. Në Shqipëri dhe Itali janë sekuestruar pasuri mbi një milion euro, përfshirë apartamente, njësi tregtare dhe anije peshkimi.
Dorian Beu nuk është vetëm pjesë e këtij rrjeti. Ai është gjithashtu ortak i Gjergj Lucës në shoqërinë “Organizata e Menaxhimit të Portit të Peshkimit Durrës – OMPD Shpk”, të regjistruar në QKR në qershor 2020. Përveç Beut dhe Lucës, në këtë shoqëri figurojnë edhe Syrjan Tola dhe Qemal Beu, emra të përfshirë në të njëjtat hetime për trafik droge dhe kontrabandë.

Dorian Beu, i arrestuar sot nga SPAK, është ortak biznesi me oligarkun
Kjo ortakëri e provuar me Dorian Beun dhe Syrjan Tolën nuk është një gabim i rastësishëm biznesi. Gjergj Luca ka qenë vetë pjesë e trafikut të drogës, i përmendur prej vitesh në raporte sekrete të policisë dhe në dosje hetimore si bashkëpunëtor i Pëllumb Gjokës, Roland Ziut, Jani Moravës, Artur Gjinit, Arjan Andonit dhe Agron Metvelajt.
Porti i Peshkimit në Durrës është përdorur prej kohësh si pikë hyrje dhe dalje për ngarkesa të paligjshme. Përmes “Organizatës së Menaxhimit të Portit të Peshkimit”, Luca ka krijuar një mbulesë të ligjshme mbi një sektor që është përdorur për trafik, duke futur brenda ortakërisë njerëz si Beu e Tola, të cilët sot ndodhen në qendër të hetimeve të SPAK.
Nëse Dorian Beu dhe Syrjan Tola janë kapur si pjesë e një grupi të strukturuar që transportonte drogë drejt Italisë, fakti që Gjergj Luca është ortak i tyre provon se ai nuk është vetëm “i afruar” me trafikantët, por pjesë e të njëjtës botë. Ai ka hyrë në të njëjtat marrëveshje, ka ndarë të njëjtat interesa dhe ka përdorur të njëjtat mekanizma për të pastruar dhe mbrojtur fitimet nga trafiku. /Pamfleti