Kupa e Botës 2026 nis të marrë formë sot, më 5 dhjetor, teksa në Uashington hidhet shorti zyrtar për edicionin historik me 48 kombëtare pjesëmarrëse.
Në të njëjtën ditë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është nderuar për herë të parë me “Çmimin e Paqes FIFA”, një çmim i ri që federata botërore e futbollit e jep për kontributet në promovimin e sportit si instrument paqeje dhe bashkimi.
Ceremonia u zhvillua në prani të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili i dorëzoi Trump-it një medalje dhe një trofe të madh, simbol i vlerësimit të lartë nga organizata.
Sipas FIFA-s, ky çmim synon të njohë figurat që kanë ndikuar në forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërkombëtar përmes sportit, teksa SHBA-të janë një nga tri vendet pritëse të Botërorit 2026, së bashku me Kanadanë dhe Meksikën.
“Ky është vërtet një nga nderet më të mëdha të jetës sime. Ne shpëtuam miliona jetë.
Gianni Infantino ka bërë një punë të jashtëzakonshme, keni vendosur një rekord të ri në shitjet e biletave. Është një imazh i mirë për ju dhe lojën e futbollit, siç e quajmë ne. Është përtej shifrave që mendonim.
Bota është një vend më i sigurt tani. SHBA-të nuk po shkonin mirë një vit më parë…”, tha Trump.











