Tragjedia që i mori jetën një familjeje shqiptare në Itali ka prekur opinionin publik. Brenda vetëm dy ditësh, mbi 75 mijë euro janë mbledhur në platformën GoFundMe për familjen Kola, e cila humbi jetën në mënyrë tragjike në Porcari, në provincën e Luccas, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Fushata e ndihmës është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i Arti Kolës, 48 vjeç, një prej viktimave të ngjarjes së rëndë. Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore. Shuma e mbetur do t’u vijë në ndihmë familjarëve të viktimave në këtë moment të vështirë.
Tragjedia i mori jetën Arti Kolës, bashkëshortes së tij Jonida, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijëve të tyre, Hadjarit, 22 vjeç, dhe Xhesikës, 15 vjeçe. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte helmimi nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.
Dhjetëra qytetarë kanë shprehur solidaritetin e tyre përmes donacioneve që variojnë nga 50 deri në 500 euro, duke dëshmuar mbështetje të gjerë për familjen e goditur nga kjo humbje e pazakontë.
Hetimet
Prokuroria e Luccas ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Kaldaja dyshohet se ishte e re dhe se ishte instaluar nga vetë pronari i banesës.
Ndërkohë, priten rezultatet e analizave toksikologjike për katër viktimat, të cilat pritet të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve. Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri për t’u përcjellë në banesën e fundit.











