Vlorë – Dy automjete janë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në zonën e Skelës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës, kur banorët e lagjes kanë konstatuar zjarrin në një automjet tip “Mercedes”, i cili kishte marrë flakë në pjesën e përparme, në zonën e motorit.
Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi duke përfshirë edhe një automjet tjetër tip “BMW”, i cili ndodhej i parkuar pranë mjetit të parë.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Megjithatë, të dy automjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në zonë ka shkuar edhe Policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit. Uniformat blu kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe ambienteve përreth, me qëllim përcaktimin e shkakut që çoi në djegien e dy mjeteve.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për zjarr aksidental apo të qëllimshëm.










