Në një intervistë për emisionin “Inside Albania” në Euronews Albania, Linda Rama ndau mendimet e saj mbi ndikimin e teknologjisë te brezat e rinj, duke e parë këtë çështje nga këndvështrimi personal si nënë.
Ajo theksoi se përdorimi i teknologjisë duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me edukim të vazhdueshëm dhe një qasje të kujdesshme brenda familjes.
Duke u ndalur te përvoja e saj personale me djalin 11-vjeçar, Zahon, Linda Rama tregoi se e nxit atë të përdorë teknologjinë kryesisht për qëllime mësimore, duke kufizuar përdorimin për argëtim.
Ajo vuri në dukje se sfidat që lidhen me teknologjinë, rrjetet sociale dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale janë të pranishme në të gjitha shoqëritë, edhe tek ato më të përparuara në Europë, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo sfidë globale.
Pjesë nga intervista:
Alice Taylor: E shoh ende, në një farë mënyre. Kjo ndodh kur njerëzit më thonë: “Ti erdhe këtu nga Anglia, pse doje të rrije këtu me kaq shumë probleme?” Ata mendojnë se Anglia është një vend perfekt, ku gjithçka funksionon, të gjithë janë të pasur dhe rrugët janë të lyera me ar. Ende ekziston kjo lloj mendësie, që këtu është tmerr dhe jashtë është gjithçka e mrekullueshme, perfekte dhe funksionale. Dhe unë u them: nuk është aspak kështu.
Linda Rama: Është e vërtetë. Sot e gjithë bota po jeton në pasiguri shumë të mëdha. Dhe fatkeqësisht, disa vite më parë ishim të sigurt që po u linim fëmijëve tanë një botë shumë më të mirë. Nuk mendoj se flasim sot me të njëjtin gjuhë. Mendojmë dy herë para se ta themi këtë. Dhe kjo sepse edhe vendet e zhvilluara po përballen me shumë sfida, e lëre më të flasim për sfida që lidhen me çështje më të mëdha të përbashkëta, si për shembull mjedisi – planeti. Ne ndajmë një planet për të cilin çdo ditë po vërtetojmë që nuk jemi në gjendje të kontribuojmë. Dhe teknologjia. Teknologjia sot është një sfidë shumë e madhe për çdo vend dhe ti sheh që çdo vend, në një mënyrë apo një tjetër, po përpiqet të kuptojë – madje edhe vendet nordike që janë shumë të avancuara – po përpiqen të kuptojnë cila duhet të jetë qasja për të mbajtur shoqërinë të sigurt në rrethana që askush më parë nuk i ka njohur. Vetëm si shembull, disa javë më parë, doli një studim në Suedi, nëse nuk gaboj, në lidhje me përdorimin e pajisjeve digjitale nga fëmijët në shkolla. Ata ishin të parët që futën këto pajisje në shkolla. Tani, disa vite më vonë, janë të parët që flasin kundër tyre, sepse studimet kanë treguar se ka efekte negative. Pra, ende nuk kemi gjetur përvoja apo le të themi praktika, as në vendet e zhvilluara, mbi të cilat mund të mbështetemi. Kështu që sot Shqipëria është në të njëjtën pozitë si këto vende për sa i përket këtyre sfidave. Dhe sa herë që janë gati t’i adresojnë një sfidë apo që BE mund të bjerë dakord për diçka, çështja ka evoluar. Dinamika është shumë e shpejtë, Alice.
Alice Taylor: Çështja e klimës është njëra anë. Mendoj se tani, çdo vit që kalon, është më nxehtë, ka më shumë zjarre, është më shqetësuese, dhe e shoh vajzën time dhe mendoj: “I madhi Zot, si do të jetë për ty pas 20 vitesh, 30 vitesh, 40 vitesh?” Rrjetet sociale, inteligjenca artificiale, më trembin. E mbaj larg çdo pajisjeje tani për tani, por dua të them – sa gjatë do të jem realisht në gjendje ta bëj këtë, nëse ato fillojnë të përdoren në shkolla, për shembull?!
Linda Rama: Dhe nuk di kur duhet të fillosh të flasësh për këtë, sepse ta mbash larg – përpiqesh vetëm të mbrohesh dhe të përballosh pasiguritë që ke. Por, në të njëjtën kohë, duhet të flasim me ta për të gjitha rreziqet dhe të gjitha përfitimet që lidhen me përdorimin e teknologjisë sot. Qasja ime me djalin tim është: “Kjo është diçka që mund ta përdorësh për mësimin. Nuk është argëtim.” Kjo është qasja që kam unë. Djali im është njëmbëdhjetë vjeç dhe kjo është një temë e vazhdueshme, pra një temë që nuk mbaron kurrë çdo ditë – përpiqem të shmang në njëfarë mënyre gjithë keqkuptimet që ai mund të ketë dhe tërheqjet që dikush mund të ketë me pajisjet.
Alice Taylor: Po, është e vështirë, e di që do të ketë shumë “luftëra” mes meje dhe vajzës sime kur të rritet.