Gjatë orëve të fundit të ditës së sotme gjashtë familje në Elbasan janë gëzuar me ardhjen në jetë të bebeve duke e bërë edhe më të bukur dhe më domethënëse festën tradicionale të ndërrimit të viteve.
Dy prej gjashtë foshnjave kanë ardhur në jetë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ndërsa katër bebe të tjera kanë lumturuar çifte të reja në bashkitë Gramsh, Librazhd, Belsh dhe Cërrik, duke përhapur gëzim, emocione dhe shpresë në të gjithë qarkun.
Lajmin e bukur e ka ndarë edhe drejtoresha e Spitalit Rajonal të Elbasanit, Zheni Gjergji, e cila në një postim në rrjetin social Facebook shkruan:
“ Mirëseardhja më e bukur e fundvitit.
Në prag të festave, drita e shpresës ndizet më fort në Spitalin Rajonal Elbasan. Dy bebe të porsalindura, Darla dhe Riguel, engjëj të vegjël me buzëqeshjen e jetës që sapo ka nisur, sjellin gëzim, dashuri dhe besim për të ardhmen.
Mes duarve të kujdesshme të personelit shëndetësor dhe ngrohtësisë së festave, këto jetë të reja janë dhurata më e çmuar e fundvitit”, shkruan drejtoresha e spitalit rajonal në një postim në Facebook.









