Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë ka shprehur një reagim të fortë kundër vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga Vlora në Tiranë. Ky akt, sipas avokatëve të Vlorës, është i papranueshëm dhe thellësisht i dëmshëm për qytetin, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët e qarkut. Ata e konsiderojnë këtë veprim si një vazhdim të politikave sistematike që kanë çuar në zbrazjen institucionale të Vlorës, duke pasur parasysh largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, një proces që ka kthyer qytetin në një “periferi institucionale pa peshë”.
Dhoma e Avokatisë thekson se ky vendimin e fundit cenon rëndë aksesin në drejtësi dhe shërbime publike për mijëra qytetarë dhe ndikon negativisht në profesionin e avokatëve dhe sistemin e drejtësisë. Gjithashtu, ata denoncojnë diskriminimin territorial, që favorizon një centralizim të tepruar në Tiranë, duke lënë pas qytetet historike dhe strategjike si Vlora.
Avokatët vlerësojnë se Vlora, një qytet me rëndësi historike dhe kombëtare, nuk mund të trajtohet si një qendër e dorës së dytë. Vendime të tilla, të marra pa konsultim dhe analiza të nevojshme, shkelin parimet e shtetit të së drejtës dhe decentralizimin administrativ. Në këtë kontekst, Dhoma Vendore e Avokatisë kërkon rishikimin dhe anulimin e vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe ndalimin e politikave që çojnë në largimin e institucioneve nga Vlora.
Ndërsa shprehin vendosmërinë për të mbrojtur interesin publik, avokatët e Vlorës shpallin se janë të gatshëm të ndërmarrin çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë të tjerë, për të rikthyer funksionet gjyqësore dhe administrative të nevojshme për qytetin. Në përfundim, ata theksojnë se Vlora nuk do të heshtë dhe se do të luftojë për të ruajtur identitetin e saj institucional.











