Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, i është bashkuar protestës së “Shqipëria Bëhet” të mbajtur këtë pasdite te Kryeministria.
Në një prononcim për mediat ai ka deklaruar se ndasitë politike janë shumë herë më të vogla se synimi i përbashkët që është, largimi i Edi Ramës.
Xhaferri ka deklaruar se i është bashkuar protestës me konfirmimin e Sali Berishës, edhe pse në tryezën që ky i fundit thirri me aleatët politikë, Lapaj nuk ishte prezent.
“Patjetër që zoti Sali Berisha konfirmoi që ne, nëse kemi dëshirë, mund t’i bashkohemi protestës. Në këtë fazë ku ne jemi, në një fazë primitive të bashkimit, është një fazë ku ne duhet të kemi kushtet e qarta të bashkimit, që kërkohet qeveria tranzitore, që kërkohet një reformë e re elektorale që ndihmon të gjithë spektrin opozitar, kërkon një Reformë Territoriale. Patjetër që kjo mjafton për të na bashkuar në këtë gjë. Nuk do të thotë se është një koalicion politik, as një koalicion zgjedhor, as programet tona kryqëzohen apo mendimet tona janë të njëjta, por e sigurt që dasitë tona janë shumë herë më të vogla se gjëja e përbashkët që kërkojmë, largimin e Edi Ramës”,Unë jam i bindur që ne duhet të zaptojmë këtë bulevard, të gjithë forcat opozitare, të gjithë organizatat qytetare, të gjithë kërkesat që kjo situatë duhet të ndalojë së qëni, se kjo qeveri s’ka më legjitimitet, ky bulevard patjetër që nuk duhet liruar deri në largimin e Edi Ramës”,- tha Xhaferri.











