Reshjet e dendura që kanë rënë gjatë ditës së djeshme dhe natës në Bashkinë Bulqizë kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme për banorët e disa zonave. Uji ka dalë nga shtrati i lumit “Zalli i Thatë”, duke bllokuar rrugën që lidh fshatrat Kokërdhak dhe Koçaj në njësinë administrative Fushë Bulqizë.
Banorët e zonës raportonin se ishin të bllokuar për rreth tre orë, pasi rruga ishte përmbytur nga prurjet e mëdha të ujit. Pas disa orësh, ndërhyrja e mjeteve të Bashkisë Bulqizë arriti të pastronte rrugën dhe të rikthente qarkullimin e automjeteve.
Sidoqoftë, banorët shprehen të shqetësuar, pasi kjo nuk është hera e parë që ndodhin ngjarje të tilla. Sipas tyre, problemi përsëritet çdo herë që ka reshje të dendura, duke bërë që “Zalli i Thatë” të del shpesh nga shtrati dhe të shkaktojë përmbytje.
Një pjesë e madhe e popullsisë në këto zona kërkon që Bashkia Bulqizë të ndërhyjë në mënyrë më sistematike për të rregulluar shtratin e lumit dhe për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla të rrezikshme.
Autoritetet vendore kanë njoftuar se po monitorojnë situatën në terren dhe se janë në gatishmëri për të reaguar në rast se moti do të përkeqësohet.










