Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për shtyp deklaroi se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje prej 3.8% në tremujorin e fundit të vitit 2025, duke tejkaluar mesataren e Bashkimit Evropian prej 1.4% dhe atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor prej 3%.
Ibrahimaj: Dje janë publikuar shifrat zyrtare për rritjen ekonomike për tremujorin e fundit të vitit 2025. Për tremujorin e fundit të viti rritja ekonomike ishte 3.8 %, një rritje më e lartë krahasur me mesataren e Bashkimit Evropian e cila ishte 1.4% dhe më e lartë se sa mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila rezultoi të ishte 3%.
Ibrahimaj theksoi se rritja ekonomike është nxitur kryesisht nga sektori i shërbimeve, ndërsa kontributin më të madh pozitiv e ka dhënë ndërtimi. Nga ana tjetër, ajo evidentoi performancë negative në sektorin e informacionit dhe komunikacionit, si edhe rënie në bujqësi, pyje dhe peshkim.
Ministrja sqaroi se në sektorin e bujqësisë bëhet fjalë për prodhimin bujqësor dhe jo për atë agro-industrial. Sipas saj, struktura e kërkesës mbetet e dominuar nga konsumi i familjeve, ndonëse ky i fundit ka shënuar rënie ndër vite.
Ibrahimaj: Rritja ka ardhur kryesisht nga shërbimet. Kontributin kryesor pozitiv në tremujorin e katërt e ka pasur sektori i ndërtimit. Performancë negative ka pasur sektori i informacionit dhe komunikacionit.
Një tjetër sektor që ka rezultuar me rënie është sektori i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit. Brenda bujqësisë është e rëndësishme të shpjegohet se këtu bëhet fjalë për prodhimin bujqësor dhe jo për atë agro-industrial. Sa i takon metodës së shpenzimeve, struktura e kërkesës mbetet e pandryshuar, e dominuar nga konsumi i familjeve, ndonëse konsumi i familjeve ndër vite ka ardhur në reduktim.
Sa i përket të gjithë vitit, Ibrahimaj bëri të ditur se rritja ekonomike për 2025 rezultoi 3.8%, pak më e ulët se parashikimi i qeverisë prej 3.9%.
Ajo nënvizoi se këta tregues dëshmojnë stabilitetin e ekonomisë shqiptare, duke shtuar se edhe niveli i borxhit publik ka ardhur në ulje.
Ibrahimaj: Për të gjithë vitin 2025 rritja ekonomike rezultoi 3.8%, pak më e ulët se parashikimet e qeverisë që kishte parashikuar një rritje prej 3.9%%.
Të gjithë këta tregues tregojnë për një stabilitet të ekonomisë shqiptare. Stoku i borxheve ka ardhur në reduktim.











