Delcy Rodríguez është betuar zyrtarisht si presidente e përkohshme e Venezuelës, në një ceremoni të zhvilluar të hënën pasdite, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas CNN, betimi i detyrës u administrua nga vëllai i saj, Jorge Rodríguez, i cili mban postin e presidentit të Asamblesë Kombëtare.
Në fjalën e saj, Rodríguez u shpreh se po e merrte këtë detyrë në rrethana të vështira, duke deklaruar se betohej “me zemër të thyer” për atë që e cilësoi si “rrëmbim” të presidentit të zgjedhur të vendit, Nicolás Maduro, dhe të Zonjës së Parë, Cilia Flores.
“Vij si nënkryetare ekzekutive e presidentit kushtetues të Republikës Bolivariane të Venezuelës, Nicolás Maduro Moros, për të bërë betimin e detyrës”, deklaroi Rodríguez gjatë ceremonisë.
Zhvillimi vjen në një moment tensioni të lartë politik në Venezuelë, pas ngjarjeve të fundit që lidhen me presidentin Maduro, ndërsa autoritetet vendase kanë bërë të ditur se Delcy Rodríguez do të ushtrojë detyrën e presidentes në mënyrë të përkohshme.











