Video të ndryshme në rrjetet sociale kanë rihapur debatin mbi mënyrën se si linjat ajrore përcaktojnë çmimet dhe tarifat shtesë për pasagjerët.
Shkak është bërë deklarata e një influencereje, e cila argumenton se pasagjerët “e dobët” duhet të përfitojnë falas bagazh të regjistruar, ndërsa ata me peshë më të madhe trupore duhet të paguajnë më shumë, bazuar në peshën totale që sjellin në bord.
Sipas saj, sistemi aktual i kufijve fiks për bagazhet duhet të zëvendësohet me një limit të vetëm peshe për çdo pasagjer, ku të përfshihet pesha e trupit, bagazhi i dorës dhe ai i regjistruar.
Mbështetësit e kësaj ideje në rrjet argumentojnë se një qasje e tillë do të ishte më “e drejtë”, duke qenë se konsumi i karburantit të avionit lidhet drejtpërdrejt me peshën totale.
Industria ajrore dhe rregullatorët e shohin ndryshe këtë propozim. Kufijtë për bagazhet e regjistruara, sipas tyre, lidhen kryesisht me sigurinë e punonjësve të shërbimit tokësor dhe me rezistencën e sistemeve të transportit të bagazheve, jo me kursimin e karburantit.
Për më tepër, karburanti përbën vetëm një pjesë të kostove operative të një linje ajrore, ndërsa çmimet e biletave përcaktohen kryesisht nga kërkesa e tregut dhe jo nga pesha marginale e pasagjerëve.
Vendosja e një tarife të bazuar në peshën e pasagjerit do të sillte edhe probleme serioze ligjore dhe operative. Legjislacioni në SHBA dhe në vende të tjera kufizon praktikat diskriminuese, veçanërisht në raste kur pesha mund të lidhet me gjendje shëndetësore ose aftësi të kufizuara.
Në plan praktik, ideja ngre shqetësime për privatësinë, nevojën për peshime publike, si dhe vonesa të konsiderueshme në procesin e hipjes në avion.
Aktualisht, linjat ajrore përdorin vlerësime mesatare të peshës së pasagjerëve për qëllime balancimi dhe planifikimi të karburantit, por këto nuk ndikojnë në çmimin e biletës.
Sipas ekspertëve, problemi real që shkakton debat mes pasagjerëve mbetet hapësira e sediljeve dhe jo pesha e bagazheve, çka shpjegon pse disa kompani po fokusohen më shumë te politikat e ulëseve sesa te tarifat e bazuara në peshë. /skyweb.al











