Dean Huijsen nuk do të jetë pjesë e kombëtares spanjolle për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj Gjeorgjisë dhe Bullgarisë. Mbrojtësi i Real Madridit ka pësuar një dëmtim muskulor dhe është detyruar të tërhiqet nga grumbullimi, ndërsa vendin e tij do ta zërë Aymeric Laporte, i cili rikthehet në kombëtare pas gati një viti mungesë.
Sipas Federatës Spanjolle të Futbollit, Huijsen mbërriti në grumbullim të hënën në mbrëmje me shenja lodhjeje muskulore dhe nuk mori pjesë në stërvitjen e së martës. Testet mjekësore të kryera të mërkurën konfirmuan një dëmtim muskulor, për të cilin është informuar menjëherë edhe Real Madridi. Lojtari do të ekzaminohet përsëri nga stafi mjekësor i klubit për të përcaktuar kohën e rikuperimit.
Në vend të tij, trajneri Luis de la Fuente ka thirrur mbrojtësin e Athletic Club, Aymeric Laporte, i cili nuk kishte luajtur me Spanjën që nga ndeshjet e Nations League në nëntor 2024. Rikthimi i tij shihet si një përforcim i rëndësishëm për mbrojtjen e “La Roja”-s, që tashmë përballet edhe me mungesat e Lamine Yamal dhe Rodri.
Federata i ka uruar Huijsenit shërim të shpejtë, ndërsa tifozët e Real Madridit presin me ankth lajmet e radhës mbi gjendjen e tij.









