“Demokrati i flaktë i PD-së, Dashnor Sula është emëruar Kryeinspektor i Përgjithshëm”, ky ka qenë lajm i cili mesditën e kësaj të enjte mori “dhenë”.
Pas dorëheqjes së papritur nga ky post të Shkëlqim Hajdarit, emri i parë për të cilin u shkruajt ka qenë pikërisht Sula.
Por, sa i vërtetë është ky lajm? Vetë ish-deputeti demokrat ka vendosur që t’i hedhë poshtë këto aludime duke theksuar për mediat se nuk do të jetë ai pasuesi i Hajdarit.
Ditën e sotme Shkëlqim Hajdari vendosi që të largohej nga posti të cilin e ka mbajtur prej vitit 2016. Papritur, ai la detyrën si Kryeinspektor i Përgjithshëm i Inspektoriatit Qendror duke mos bërë publike ende arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.
Ish-prokurori i cili ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, në vitin 2016 hoqi dorë si kryeprokuror i Shkodrës dhe u emërua në korrik të po atij viti nga kryeministri Edi Rama në postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm.










