Nëse ëndërron të fitosh llotarinë, të të rritet rroga apo të gjesh dashurinë e jetës bën mirë të mos i anashkaloni fasulet, rrushin apo mishin e gicit në natën e ndërrimit të viteve.
Viti i Ri është koha kur ne i vemë kapakun disa gjërave dhe hapim dyert për të renë. Në shumë vende të botës, për superticion ose jo, ka një listë me ushqime që shërbejnë si ogur i mirë.
Në Shqipëri nuk kemi një traditë supersticioni për ushqimin, por një rit e kemi. Nëse personi i parë që hyn në shtëpi pas ndërrimit të viteve, është një djalë i vogël, familja do të ketë mbarësi për vitin e ri.
Pavarësisht nëse besoni ose jo, mund të gjeni një ushqim të preferuar në këtë listë ushqimet me fat.
Dhe nëse fati nuk ju troket në derë, të paktën natën e ndërrimit të viteve nuk do ta kaloni me stomakun bosh.
Rrushi
Spanjollët konsumojnë 12 kokrra rrush para mesnatës- një kokërr rrush për çdo muaj.
Kjo traditë daton që në vitin 1909, kur vreshtarët e zonës Alicante ne Spanjë e nisën këtë praktikë pas një viti të bollshëm me rrush.
Çdo kokërr rrushi përfaqëson një muaj, kështu nëse kokrra e tretë përshembull iu rastis e thartë, Marsi mund të jetë një muaj i vështirë.
Për pjesën më të madhe, synimi është që të gjithë kokrrat e rrushit të konsumohen në më pak se 12 sekonda, para se akrepat të shënojnë orën 00.00, por Peruanët këmbëngulin që të konsumohet edhe kokrra e 13-të, që të jenë brenda.
Jeshillëqe për të thirrur paranë
Jeshillëqet, duke përfshirë këtu jo vetëm sallatën jeshile, rukolën por dhe lakrën konsumohen në shumë vende në natën e Vitit të Ri.
Kjo për një arsye të thjeshtë-gjethet e tyre jeshile duken si para të palosura, ndaj dhe janë simbol i prosperitetit ekonomik.
Besohet se sa më shumë jeshillqe të konsumohen aq më i madh do të jetë fati që do ta shoqërojë personin në Vitin e Ri.
Bishtajore
E kush mund ta mendonte që bishtajoret, duke përfshirë këtu fasulet, bizelet dhe thjerrëzat janë gjithashtu simbol i parasë.
Kokrrat e tyre ngjasojnë disi me monedhat dhe kur gatuhen fryhen, duke na dhënë idenë e një rritje financiare.
Mish derri
Zakoni i të ngrënit mish derri në Vitin e Ri bazohet në idenë që derri simbolizon progres.
Mishi i derrit të pjekur shërbehet për Vitin e Ri në Kubë, Spanjë, Portugali, Hungari dhe Austri, ku këta të fundit madje dhe e dekorojnë tavolinën me gicë të bërë me brumë.









