Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Minneapolis të SHBA-ve, ku një oficer i Shërbimit për Kontrollin e Imigracionit dhe Doganave (ICE) ka qëlluar për vdekje një grua 37-vjeçare.
Rrethanat e vrasjes së gruas janë ende të paqarta.
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare tha se gruaja u përpoq të shtypte oficerët e ICE me makinën e saj.
Një video e incidentit u publikua nga “New York Post” dhe po bën xhiron e mediave sociale. Aty duken agjentët e ICE që i afrohen një makine “Honda Pilot” dhe urdhërojnë shoferin të dalë nga automjeti pasi i bllokuan rrugën. Një nga agjentët përpiqet të hapë derën.
Drejtuesja tenton fillimisht të ecë mbrapsht dhe më pas përpiqet të niset përpara, por një agjent tjetër i ka dalë para. Agjenti shmang makinën, kthehet dhe qëllon drejt shoferes.
Makina e saj të përplaset më pas me një automjet të bardhë të parkuar aty pranë në anë të rrugës. Pas të shtënave, një grua bërtet vazhdimisht: “Jo! Jo! Çfarë dreqin…? Çfarë dreqin… bëtë? Ju jeni kriminelë të dreqit!”
Sipas Shefit të Policisë Brian O’Hara, gruaja ishte në makinën e saj duke bllokuar trafikun në Portland Street. Një oficer federal iu afrua, por “ajo tentoi të largohej”.
Ai tha se të paktën dy të shtëna u qëlluan. Hetimi po kryhet nga FBI dhe Byroja e Hetimeve Penale e Minesotës, shtoi ai.
Kryebashkiaku Jacob Frey u tha gazetarëve se ishte “i frikësuar” nga veprime të tilla nga oficerët e ICE-së në qytet.
“Ata po shkatërrojnë familjet, po shkaktojnë kaos në rrugët tona”, – shtoi ai. Ai tha se nevojitet një hetim, por nuk është i sigurt se si do të vendoset drejtësia. Ai shtoi se sipas mendimit të tij, personi që u vra nuk po përpiqej të “godiste askënd”.
Kryebashkiaku akuzoi autoritetet federale se “po përpiqen ta portretizojnë këtë si një akt vetëmbrojtës” duke shtuar se e kishte parë videon e incidentit. “Ky ishte një agjent që përdori pushtetin e tij në mënyrë të pamatur, duke shkaktuar vdekjen e dikujt”, – tha ai.
Kryebashkiaku Frey bëri thirrje për unitet dhe kërkoi që qytetarët të mos provokohen nga veprimet e administratës Trump. Ai theksoi se prania e agjentëve të ICE po shkakton kaos dhe humbje jete dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë “trimëri, dashuri dhe mëshirë”.
Administrata Trump ka dërguar 2 000 agjentë federalë shtesë në Minneapolis javët e fundit në përgjigje të akuzave për mashtrime me ndihmat sociale në këtë shtet. Vendosja, e cila filloi të dielën, është një nga më të mëdhatë e personelit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare në një qytet amerikan në vitet e fundit.











