Viti 2025 ka shënuar një nga temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë në Tokë, duke u renditur si viti i tretë më i ngrohtë, pas 2024 dhe 2023. Kështu thuhet në raportet e Observatorit Evropian të Kopernikut dhe Institutit të Tokës Berkeley.
Sipas të dhënave, temperaturat mesatare globale të sipërfaqes kanë tejkaluar tashmë nivelet e epokës para-industriale (1850–1900) me më shumë se 1.5°C.
Ky prag konsiderohej objektiv kyç i përpjekjeve ndërkombëtare për frenimin e ngrohjes globale, përfshirë Marrëveshjen e Parisit.
Shkencëtarët paralajmërojnë se tejkalimi i kufirit prej 1.5°C tashmë shihet si i pashmangshëm, duke sjellë pasoja serioze si valë të nxehtësisë më të shpeshta dhe më intensive, si edhe shtim të ngjarjeve ekstreme klimatike me ndikim shkatërrues.
Samantha Burgess, drejtoreshë e strategjisë klimatike në Copernicus, theksoi se rreth 91% e planetit ka përjetuar temperatura mbi mesataren.
Sipas saj, shkaku kryesor është grumbullimi i gazrave serrë në atmosferë, kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile.
Si pasojë e kësaj rritjeje, temperaturat e oqeaneve dhe nivelet e detit po vazhdojnë të ngrihen, ndërsa shkrirja e akujve po përshpejtohet. Këto zhvillime përbëjnë një kërcënim serioz për ekosistemet dhe jetesën në planet.
Mauro Facchini, kreu i vëzhgimit të Tokës në Komisionin Evropian, e cilësoi tejkalimin e këtij kufiri si një moment historik shqetësues.
Ai theksoi se nevoja për veprime urgjente dhe konkrete kundër ndryshimeve klimatike është më e madhe se kurrë, ndërsa dështimet e deritanishme e bëjnë sfidën për njerëzimin edhe më të vështirë.










