Sonte, ndaj Comos, Cristian Chivu pritet ta ndryshojë rrënjësisht Interin, me tetë ndryshime në formacion krahasuar me fitoren në kampionat ndaj Genoas. Në fokus është gjysmëfinalja e parë e Coppa Italia, me zikaltërit që synojnë finalen.
Nga porta deri në sulm, Interi pritet të zbresë në fushë me një formacion të rinovuar. Rotacioni vjen si pasojë e një kalendari shumë të ngjeshur, që e ka vendosur këtë ndeshje mes eliminimit nga Champions League dhe derbit të së dielës, i cili mund të jetë vendimtar për garën e Scudettos. Megjithatë, sot e gjithë vëmendja është te Como, ku Chivu do të kërkojë një rezultat pozitiv me shumë lojtarë që kanë pasur më pak hapësira këtë sezon.
Në portë, Josep Martinez pritet të zëvendësojë Yann Sommer për herë të parë pas rreth një muaji. Ndeshja e fundit e spanjollit ishte në çerekfinale, ndërsa sonte ai pritet të rikthehet si “portieri i kupës” për të fituar ritëm ndeshjeje.
Edhe reparti defensiv ndryshon plotësisht në krahasim me sfidën ndaj Genoas. Në vend të Akanji, De Vrij dhe Carlos Augusto, sonte pritet të luajnë Bisseck, Acerbi dhe Bastoni, me këtë të fundit që rikthehet pas pezullimit në Serie A. Në krahë priten gjithashtu lëvizje, pasi Chivu mund të pushojë një nga titullarët kryesorë dhe t’u japë minuta Carlos Augusto dhe Darmian.
Lajmi më i madh vjen nga mesi i fushës: Hakan Calhanoglu pritet të rikthehet titullar pas një mungese të gjatë që, me përjashtim të disa minutave ndaj Juventusit dhe Genoas, ka zgjatur afro dy muaj. Mesfushori turk ishte dëmtuar në sfidën ndaj Napolit më 11 janar, u rikthye për pak ndaj Juves, por më pas pësoi një tjetër problem fizik më të lehtë që e mbajti jashtë në ndeshje të rëndësishme.
Krah tij pritet të nisin Sucic dhe Mkhitaryan, ndërsa në sulm mbetet një dilemë për partnerin e Pio Espositos. Në garë janë Thuram dhe Frattesi, me këtë të fundit që shihet si favorit edhe për t’i dhënë Chivu-t më shumë alternativa gjatë ndeshjes, duke qenë se trajneri nuk mund të llogarisë te Lautaro dhe Bonny.
Vendimi final për sulmin mund të merret vetëm pak orë para ndeshjes, siç ndodh shpesh me Chivu-n, por një gjë duket e sigurt: Interi i kësaj mbrëmjeje do të jetë ndryshe nga ai i kampionatit.











