Trajneri i Inter Milan, Cristian Chivu, doli në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme të play-off-it në UEFA Champions League kundër Bodø/Glimt me një mesazh të qartë: Interi beson te përmbysja. “Nëse ka një skuadër që mund ta kthejë një ndeshje të tillë, jemi ne”, tha rumuni, duke nënvizuar se ekipi duhet të jetë gati edhe për 120 minuta lojë. Për aktivizimin e Dumfries u shpreh shkurt: “Do ta shohim”
Megjithatë, atmosfera u ndez kur një gazetar norvegjez e pyeti Chivun se sa “e turpshme” do të ishte eliminimi ndaj një skuadre “të vogël” nga një qytet me 50 mijë banorë. Trajneri i Interit reagoi ashpër: “Ti e thua këtë dhe qesh? Urime… Nuk ka asgjë të turpshme në futboll. Duhet të respektojmë kundërshtarin. Ju nuk na respektoni kur e quani turp për ne… Ne, përkundrazi, e respektojmë dhe e përgëzojmë Bodon, që fitoi në Madrid ku ne dështuam”
Interit i duhen tre gola për të përmbysur situatën dhe, sipas Chivut, ndeshja e parë tregoi edhe një herë se kundër një skuadre si Bodo Glimt “asgjë nuk ndodh rastësisht”. Ai insistoi se renditja në Serie A nuk duhet ta shpërqendrojë ekipin: fokusi duhet të jetë vetëm te ndeshja, pa panik për të shënuar herët dhe pa prishur planin e lojës
Chivu bëri edhe një batutë, duke thënë se në San Siro lojtarët e tij “duhet të gjejnë sërish barin”, ndërsa pranoi se nuk ka nevojë për shumë motivim: “Edhe unë si lojtar nuk e dëgjoja shumë trajnerin, s’e doja të zhgënjeja shokët. Isha kokëfortë”
Në konferencë foli edhe Federico Dimarco, i cili paralajmëroi një Inter shumë sulmues, por me kujdes ndaj kundërsulmeve: “Duhet të mendojmë për golat dhe për përmbysjen sa më shpejt, jo të fiksohemi te frika se mos pësojmë”. Ai la të kuptohet se një rol kyç mund ta ketë edhe “Pio”, si zgjidhje në mungesë të Lautaros











