Një avion Boeing 787 Dreamliner (VT-ANB) i Air India me 242 pasagjerë në bord, që fluturonte nga Ahmedabad për në Aeroportin Gatwick të Londrës, u rrëzua menjëherë pas ngritjes të mërkurën.
Siç raportohet nga mediat indiane, ish-kryeministri i shtetit federal të Gujarat, ku ndodhi tragjedia, ishte në atë fluturim.
Çfarë dihet deri tani nga aksidenti i rëndë ajror që ndodhi rreth 1 orë më parë:
Në bord ndodheshin 242 persona, përfshirë dy pilotë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit të kabinës.
Nga pasagjerët, kishte 169 shtetas indianë, 53 shtetas britanikë, një shtetas kanadez dhe shtatë shtetas portugezë.
Aeroplani – një Boeing 787-8 Dreamliner – i dha një thirrje paralajmëruese kontrollit të trafikut ajror pas ngritjes, por më pas nuk dha asnjë përgjigje.
Sinjali humbi sekonda pas ngritjes kur aeroplani kishte arritur 625 metra lartësi, sipas Flight Radar.
Aeroplani u rrëzua në një zonë banimi pranë aeroportit.
Sipas kontrollit të trafikut ajror në aeroportin e Ahmedabad, avioni u nis në orën 13:39 me kohën lokale nga pista 23. Ai bëri një thirrje emergjente “Mayday”, por më pas nuk u dëgjua asnjë përgjigje nga avioni.
Flightradar24 tha gjithashtu se sinjali i fundit nga avioni u mor disa sekonda pas ngritjes.
“Avioni i përfshirë në aksident është një Boeing 787-8 Dreamliner me regjistrim VT-ANB”, u tha në deklaratë.
Zyra e ministrit indian të Aviacionit tha se kryeministri Narendra Modi kishte urdhëruar që të ofrohet menjëherë gjithë mbështetja për përpjekjet e shpëtimit.
Të gjitha agjencitë përkatëse janë në gjendje gatishmërie dhe po punojnë në mënyrë të koordinuar, shtoi zyra e ministrit të Aviacionit.
Ahmedabad është qyteti kryesor në shtetin Gujarat, vendlindja e Modit.
Aeroporti i Ahmedabad njoftoi se ka pezulluar të gjitha operacionet ajrore me efekt të menjëhershëm.











