Në pak ditë, zhvillimet rreth Alessio Romagnolit dhe Lazios morën një kthesë interesante. Fillimisht, mbrojtësi pranoi ofertën e Al Sadd, të trajnerit Roberto Mancini, duke u ndarë me shokët e tij pas ndeshjes me Lecce. Megjithatë, situata ndryshoi kur Lazio shpalli se Romagnoli nuk do të ishte më në merkato, dhe më pas rinisi diskutimi për transferimin e tij pak para përfundimit të merkatos në Katar. Duke surprizuar të gjithë, Romagnoli e refuzoi ofertën e Al Sadd.
Arsyet e këtij refuzimi, sipas gazetës ‘Corriere Dello Sport’, lidhen me një çështje parimesh. Romagnoli nuk pranoi të heqë dorë nga pagat mujore për muajt nëntor, dhjetor dhe janar, që i duhej të merrte nga Lazio, gjithsej 600 mijë euro. Kështu, ai hodhi poshtë një kontratë trevjeçare me Al Sadd, e cila ofronte 18 milionë euro. Ky zhvillim është një goditje për Lazion, që shpresonte të përfitonte 9 milionë euro nga shitja e tij dhe të kursejë një shumë po aq nga paga, duke pasur parasysh që Romagnoli ka një kontratë deri në 2027.
Përveç aspekteve financiare, ka edhe shqetësime teknike për klubin. Tani, dëshira e tifozëve dhe stolit është të shohin nëse Romagnoli do të jetë në formacion për ndeshjen kundër Juventusit. Aktualisht, ai ka marrë një leje për t’u marrë me lindjen e djalit të tij. Por këtu lind nje çështje e rëndësishme: do të ketë një takim mes Romagnolit, trajnerit Sarri dhe presidentit Lotito për të vendosur mbi të ardhmen e tij në klub deri në fund të sezonit. Gjithashtu, është e paqartë nëse do të ketë ndonjë ofertë tjetër për të para orës 20:00 të së hënës, që mund të ndryshonte sërish situatën. Dështimi i kësaj tratative e komplikon më tej situatën e klubit romak dhe Romagnolit.










