Real Madrid u befasua në “Santiago Bernabeu”, ku Celta Vigo mori një fitore të rëndësishme 0-2 në sfidën e javës së 15-të të La Ligës. Ky rezultat i kushton rëndë madrilenëve në garën për vendin e parë.
Pjesa e parë ishte e balancuar, me të dy skuadrat që kërkuan golin, por pa arritur të konkretizonin. Pas pushimit, loja ndryshoi ritëm dhe Celta goditi e para: Swedberg finalizoi një aksion të shpejtë pas asistit të saktë të Bryan Zaragoza.
Vetëm pak minuta më vonë, situata u vështirësua edhe më shumë për madrilenët. Fran Garcia u përjashtua me dy kartonë të verdhë brenda një minute, duke i lënë vendasit me 10 lojtarë që nga minuta e 64-t.
Në shtesë, Celta shfrytëzoi hapësirat e mbetura dhe Swedberg goditi sërish në kundërsulm, duke vulosur fitoren 0-2 dhe një nga rezultatet më të rëndësishme të sezonit për galicienët.
Pas kësaj humbjeje, Real Madrid mbetet i dyti me 36 pikë, katër pikë pas Barcelonës, ndërsa Celta ngjitet në vendin e 10-të me 19 pikë.










