Ndryshe nga situata e ndërlikuar e rinovimeve për Alaba dhe Rüdiger, rasti i Dani Carvajal shihet si më i favorshëm për një vazhdimësi te Real Madridi. Mbrojtësi i djathtë po hyn sërish në gjashtëmujorin e fundit të kontratës, por sinjalet brenda klubit tregojnë se prania e tij në “Bernabéu” pritet të vazhdojë.
Edhe pse Carvajal mbush 34 vjeç më 11 janar dhe ka luajtur vetëm 445 minuta në 15 muajt e fundit, klubi vlerëson rolin e tij si kapiten dhe lider i dhomës së zhveshjes. Real Madridi nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për t’i ofruar një vit tjetër, por “era po fryn” në anën e tij, sidomos për shkak të përkushtimit që po tregon në rikuperim.
Carvajal po punon për t’u kthyer pas dëmtimit të fundit serioz: ndërhyrja artroskopike në gjurin e djathtë më 28 tetor, ku iu hoq një fragment i lirë (“loose body”). Bëhet fjalë për të njëjtin gju ku në 2014 kishte pësuar dëmtime të rënda të ligamenteve. Tani, rikthimi i tij në stërvitje pas pushimeve pritet të japë më shumë sinjale edhe për një objektiv afatshkurtër: Superkupën e Spanjës në Xhedah.
Reali nuk po kërkon “numër 2” të ri
Një tjetër faktor që e forcon skenarin e qëndrimit është se klubi, sipas planit aktual, nuk po e ka prioritet të blejë një mbrojtës të djathtë dhe po fokusohet te pozicione të tjera për verën. Në këtë kontekst, Carvajal shihet si zgjidhje e rëndësishme, sidomos në një moment kur përdorimi i Valverde në role emergjente mund të sjellë sërish pakënaqësi për zhvendosjet e vazhdueshme të tij në pozicione të ndryshme.
Në prapaskenë, Carvajal po punon intensivisht për të shkurtuar afatin e rikuperimit, i cili ishte parashikuar 6 deri në 10 javë. Ai po synon jo vetëm rikthimin te Reali, por edhe objektivin personal për të qenë në garë për Botërorin. Me Trent që nuk pritet të jetë i gatshëm për Superkupën, shpresa e stafit është që kapiteni të arrijë të paktën të jetë në dispozicion për atë turne.










