Nga skandali në skandal, duket se qeveria po i ndërton rrugët dhe tunelet e vendit me materiale kartoni dhe aspak rezistence.
Pas shembjeve të vazhdueshme të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, e cila së fundmi u ça në dy pjesë, probleme tashmë raportohen në rrugën e Arbrit, më konkretisht në Tunelin e Murrizit.
Tuneli i Murrizit u hap për qarkullim në mars të vitit të shkuar, vetëm pak ditë para zgjedhjeve qendrore, ku qeveria e prezantoi atë si një vepër të përfunduar plotësisht e cila do të ishte funksionale dhe do të shkurtonte ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe Tiranës.
“Dibra tashmë është lagje e Tiranës,” do të deklarohej nga zyrtarët nën zhurmën e këngëve dhe valleve që u organizuan për hapjen e vonuar të këtij projekti infrastrukturor që konsiderohet ndër më të kushtueshmit në vend.
Këto pamje tregojnë se muret anësore dhe tavani i tunelit është çarë dhe ka marrë plasaritje të konsiderueshme. Brenda tunelit ka prezencë uji, ndërkohë që asfalti është deformuar në disa pjesë. Betoni është thërrmuar dhe ka filluar të shkëputet.
Këto të dhëna tregojnë se struktura e tunelit ndodhet në presion të lartë dhe mund të ketë probleme gjeologjike ose me veshjen e betonit. Çarjet konsiderohen të thella dhe kjo gjë kërkon një sqarim institucional nëse rrezikohet jeta e udhëtarëve.
Nga ana tjetër duhet thënë se tunelet e emergjencës nuk janë ende në funksion, pasi punimet nuk kanë përfunduar.
Rruga e Arbrit është një nga projektet më të kushtueshme infrastrukturore dhe më e zvarritura në kohë, ndërtuar me skemën PPP (Partneritet Publik-Privat).















