Në një ditë të zakonshme pranverore në shëtitoren e Vollgës në Durrës, disa nota të muzikës popullore shpërndahen mes kalimtarëve. Tingujt rikujtojnë vallen e Rrajcës, një valle që njerëzit në shëtitore e dëgjojnë me kënaqësi. Në njërin nga stolat, një burrë, rreth të pesëdhjetave, i bie klarinetës me përkushtimin e dikujt që nuk kërkon para apo vëmendje.Duket i qetë dhe i përqendruar në instrumentin që mban në duar.
Quhet Gëzim Hazizolli.Vjen çdo ditë, pothuajse në të njëjtën orë, rreth orës 11 të paradites dhe përveç klarinetës ka edhe një cantë shpine. Një çantë e zezë, cilësore, ku ruante pasionin e tij prej 42 vitesh. Klarineta që mbante në çantë nuk ishte thjesht një instrument, por një mikeshë e vjetër që e kishte ndjekur që prej vitit 1982, kur Gëzimi ishte vetëm 20 vjeç.
Që prej të njëzëtave, ai e kishte klarinetën çdo ditë pranë vetes edhe pse jeta e kishte përballur shpesh me vështirësi të shumta.E në çantën e tij nuk mungonte as një tjetër mikeshë, rakia. Shishen e rakisë e gjen gjithmonë në cantën e shpinës, sepse për të kjo pije tradicionale shqiptare i jepte forcë. “Unë dal këtu për piknik.
Nuk kam asnjë karton në tokë për lekë, por në pallatin tim nuk më lejojnë të luaj, sepse shqetësoj komshinjtë, dhe unë dal të luaj për qejfin tim.”, tregon ai.
Askush nuk e duronte “zhurmën” e një klarinete, as edhe ligji nuk e lejon, pavarësisht ndjesisë që mund të përcjell ajo. Për këtë arsye, ai zgjedh bregdetin, një hapësirë që nuk ia kufizon dëshirën dhe që ia pranon çdo notë pa u ankuar dikush. Dy vite më parë ai së bashku me bashkëshorten, jetonin në fshatrat e Elbasanit, andej nga është dhe origjina e tij.
Në vitin 2023 zgjodhën që të ndërronin vendin, klimën dhe jetesën e tyre për një pleqëri më të mirë në qytetin e Durrësit.
Gëzimi është një ish-saldator në metalurgjikun e Elbasanit, profesion që artisti ynë e ka praktikuar për shumë vite pa harruar asnjëherë klarinetën, mikeshen e tij të vjetër. Saldimi, një punë që i dha goxha lodhje fizike asokohe sot ka mbetur në kujtimet e tij.Tashmë është i fokusuar tek klarineta e i referohet si diçka pa lodhje e qejfi. Është nëna e tij, sot 87 vjeç, ajo që e frymëzoi për të ndjekur këtë pasion me pretendimin se ai do të bëhej një artist më vonë.
Familja ishte shtysa kryesore për të praktikuar klarinetën dhe për të mos e lënë kurrë pas, edhe pse në periudha kohore si komunizmi, tingujt e saj nuk u lejuan.
E njohu bashkëshorten teksa bënte muzikë në një dasmë, nga ato të kohëve të vjetra, në oborret e dasmorëve, me pjata shtëpie dhe ahengun që e mundësonte Gëzimi bashkë me disa miq, të cilët në grup bënin rolin e “DJ”-ve të sotëm. Luanin në klarinetë, fizarmonikë e dy prej tyyre këndonin. Muzika për të ishte sekreti që i kishte rrëmbyer zemrën gruas së tij, ndonëse muzikën në grup nuk e kishte bërë më që nga rinia.
Tregon se edhe nëse do t’i jepet mundësia sërish, nuk do të shkoi pasi vendi i tij tanimë është në ajër të pastër. Bashkë me bashkëshorten jetojnë të mbështetur nga fëmijët sot, por dikur ai e cilëson se puna ka qenë çdo ditë shoqëruese e të dyve. Gëzimi ka katër fëmijë, një vajzë dhe tre djem, të cilët të gjithë jetojnë jashtë shtetit. “Je alegro, babi, më thonë fëmijët. Ti na jep gëzim me muzikën që bën,” – tregon ai.Njëri prej tyre, “piloti i madh”, siç e quan, jeton në Francë.
Të tjerët jetojnë në Angli, aty ku kanë dhe mbështetje njëri-tjetrin. Ka më shumë se 20 vite pa parë një nga djemtë, sepse mungesa e dokumenteve nuk i lejon të ribashkohen. Rrjedhimisht as fëmijët e djalit nuk i ka takuar kurrë. Flet me ta nëpërmjet “internetit”, por ata nuk e njohin mirë gjuhën shqiptare dhe komunikimi mes tyre bëhet disi i vështirë. Wshtw një mall që nuk fshihet dot as pas tingujve të klarinetës.
“Natën nuk më zë gjumi kur mendoj që nuk më vjen dot këtu dhe as unë nuk i shkoj dot atje”, shton ai. Gëzimi, artisti që krijon tingujt e muzikës popullore në qytetin e Durrësit, nuk është aq i hareshëm sa duket për kalimtarët. Por klarineta është gëzim për Gëzimin, edhe për njerëzit rreth tij. Muzika, tingujt dhe hapësira që ai në shëtitore ka, janë ilaçi që shëron dhimbjen që malli për djalin i shkakton Gëzimi nuk e ka patur jetën të lehtë. është rritur në një kohë kur buka ndahej me pesë lekë dhe puna në bujqësi i linte shumë lodhje.
Por asokohe, edhe pse i lodhur nga puna, klarineta ishte gjithnjë aty, e fshehur, por kurrë e harruar. Për një njeri që ka përjetuar vështirësi në jetë, detajet e vogla bëjnë diferencën, prandaj kur “piloti i madh” arriti t’i blinte klarinetën e re, ndjeu shumë emocion dhe mbështetje. Klarineta e re kushton 2500 £, duke i shtuar asaj dhe vlerën monetare përveç asaj emocionale.
E ndërkohë tregon se të vjetrën do ta ketë gjithmonë me vete kudo ku do të vendos të ngrej piknikun e tij të rradhës. Gëzim Hazizolli nuk është thjesht një muzikant rruge. Është një pasion që endet nëpër shëtitoren e një qyteti bregdetar si Durrësi. Disa njerëz nuk kërkojnë as duartrokitje, as lëvdata. Mjafton të kenë pak hapësirë, e të ndihen të gjallë… qoftë edhe përmes një klarinete, që për ta flet më shumë se sa flasin fjalët.