Në rikthimin e Bundesliga-s, Bayerni i Mynihut shënoi një fitore të madhe ndaj Freiburgut, me rezultatin impresionues 6-2 në ndeshjen e javës së 11. Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompani u risjell në formë, pas një fillimi të vështirë në këtë përballje. Freiburgu e nisi ndeshjen më mirë, duke marrë avantazhin në minutën e 13 me golin e Suzuki, dhe më pas shënoi edhe një herë me Manzambi në minutën e 18, duke e çuar rezultatin në 2-0. Kjo duket se e zgjoi Bayernin, që shpejt reagoi duke shkurtruar diferencën përmes Lennart Karl në minutën e 22. Olise ndihmoi në barazimin 2-2 pak para mbylljes së pjesës së parë, duke i dhënë një frymëmarrje skuadrës së tij.
Në pjesën e dytë, Bayerni dominoi plotësisht, duke kaluar në avantazh me Upamecano në minutën e 49. Harry Kane shtoi golin e katërt në minutën e 60, ndërsa Nicolas Jackson e rriti rezultatin në 5-2. Ndërkohë, Olise vulosi fitoren me golin e tij të dytë në minutën e 86, duke e përfunduar ndeshjen në 6-2 dhe duke e çuar Bayernin në 31 pikë, ndërsa Freiburgu mbeti me 13.
Në një tjetër ndeshje të rëndësishme, Borussia Dortmund dhe Stuttgart u ndeshën në një barazim dramatik 3-3. Dortmund shënoi i pari me një penallti nga Emre Can në minutën e 35 dhe vazhdoi me një gol të Beier në minutën e 41, duke e bërë rezultatin 2-0. Megjithatë, Stuttgart rihapi ndeshjen me Undav në minutën e 48 dhe, pas një goli tjetër nga ky i fundit në minutën e 71, e barazoi rezultatin 2-2. Dortmund u përgjigj me një gol nga Adeyemi në minutën e 89, por në minutën e parë shtesë, Undav shënoi përsëri, duke e mbyllur ndeshjen 3-3.
Në ndeshjet e tjera, Bayer Leverkusen fitoi 3-1 ndaj Wolfsburgut, Borussia Moenchengladbach mundi Heidenheim 3-0, ndërsa Augsburg mposhti Hamburgun 1-0.











