Bullgaria po shkon drejt një tjetër raundi zgjedhjesh të parakohshme, pasi partia më e madhe në parlament, GERB-SDS, ka refuzuar të marrë përsipër krijimin e një qeverie të re. Sipas procedurës kushtetuese, presidenti Rumen Radev i dorëzoi mandatin kryeministrit në detyrë, Rosen Zhelyazkov, por ai e ktheu menjëherë, duke argumentuar se nuk ekziston mbështetja e nevojshme në parlament për formimin e një shumice të qëndrueshme.
Qeveria e koalicionit e drejtuar nga Zhelyazkov, e mbështetur nga GERB-SDS, kishte dhënë dorëheqjen muajin e kaluar pas javësh protestash kundër korrupsionit dhe kundërshtimeve ndaj buxhetit të ri, i cili parashikonte rritje taksash.
Tani pritet që presidenti Radev t’ia kalojë mandatin forcës së dytë më të madhe parlamentare, koalicionit reformist PP-DB. Megjithatë, edhe ky grupim pritet ta refuzojë ofertën, çka do ta detyrojë kreun e shtetit t’ia japë mandatin një force tjetër politike.
Në rast se asnjë parti nuk arrin të sigurojë shumicën parlamentare, parlamenti do të shpërndahet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.
Nëse kjo ndodh, do të jenë zgjedhjet e teta parlamentare në vetëm katër vjet, një tregues i qartë i krizës dhe paqëndrueshmërisë së vazhdueshme politike në vend.
Bullgaria iu bashkua eurozonës më 1 janar dhe analistët vlerësojnë se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet politik për të përshpejtuar përdorimin e fondeve të Bashkimit Europian, për të tërhequr investime të huaja dhe për të luftuar korrupsionin e përhapur në administratë.











