Arsenali ka siguruar të ardhmen e një prej yjeve të saj më të mëdhenj, Bukayo Saka. Produkti i akademisë së “Gunners” do të qëndrojë në Londër deri në vitin 2031, duke u bërë lojtari më i paguar i skuadrës. Sulmuesi ka vazhduar edhe një “traditë” personale: shënon ndaj Wolverhampton dhe më pas firmos rinovimin e kontratës.
Arsenali, që muajt e fundit ka rinovuar edhe me disa nga yjet e tjerë si Gabriel Magalhães, William Saliba dhe Myles Lewis-Skelly, ka bërë të njëjtën gjë me Sakën, kontrata e të cilit ishte e vlefshme deri në verën e 2027. Me marrëveshjen e re, 23-vjeçari do të fitojë rreth 300 mijë paund në javë dhe do të jetë lojtari më i paguar i ekipit, pasi ka nënshkruar edhe për katër sezone të tjera.
Sa i përket statistikave, Saka ka shënuar tetë gola në 34 paraqitje me Arsenalin këtë sezon. Ai mbetet një shtyllë e skuadrës së Artetës, që vazhdon të kryesojë Premier League me 5 pikë avantazh ndaj Manchester Cityt. Në Champions League, ku Saka ka realizuar dy gola, Arsenali e mbylli grupin në vendin e parë me bilanc perfekt prej tetë fitoresh. Ndërkohë, në kompeticionet e tjera, londinezët kanë arritur në raundin e pestë të FA Cup dhe në finalen e League Cup, ku do të përballen me Manchester City më 22 mars.
Që kur iu bashkua Arsenalit pasi u formua në akademinë e Watfordit, Saka ka firmosur tre herë rinovim me “Gunners” dhe të gjitha janë shoqëruar me një rastësi interesante: sa herë që ka rinovuar, anglezi kishte shënuar të paktën një gol në ndeshjen para firmës — dhe gjithmonë kundër Wolverhampton. Këtë “traditë” e vazhdoi edhe te barazimi 2-2 në ndeshjen e fundit të Premier League. Ironikisht, Wolves është skuadra ndaj së cilës Saka ka shënuar më shumë gola: gjithsej pesë.










