Më 19 nëntor 2025, Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Rusisë, pas zbulimit të anijes së saj spiune Yantar në ujërat veriore të Skocisë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se anija ruse kishte përdorur lazer ndaj pilotëve të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF), gjatë operacioneve të survejimit që monitoronin aktivitetet e saj.
Gjatë një fjalimi në Londër, Healey theksoi se Britania është e gatshme të përballet me çdo kërcënim ndaj territorit të saj, duke i dërguar një mesazh të qartë Rusisë: “Ne ju shohim dhe dimë çfarë po bëni.”
Anija Yantar, pjesë e flotës ruse, është projektuar për qëllime të vëzhgimit në kohë paqeje dhe për sabotim gjatë konfliktit.
Autoritetet britanike kanë ndjekur me kujdes lëvizjet e saj për të parandaluar ndërhyrjet, veçanërisht pranë infrastrukturës nënujore kritike në ujërat ndërkombëtare.
Healey paralajmëroi se Yantar përbën një kërcënim serioz për rrjetet e kabllove dhe tubacioneve nënujore, duke përmendur sulmet e mëparshme në Detin Baltik.
Vitin e kaluar, pas një tjetër paralajmërimi, Yantar u largua drejt Mesdheut.











