Qeveria britanike njoftoi se muri memorial në Londër, i krijuar nga ata që humbën të dashurit e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit, do të ruhet. Muri mbi dy metra i gjatë, ndodhet në anën jugore të lumit Thames, përballë Pallateve të Parlamentit, dhe do të kujtojë rreth 240,000 vdekje të lidhura me virusin në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe do të nderojë sakrificën e punonjësve kyçë, veçanërisht në sektorët e shëndetësisë dhe kujdesit.
Muri Kombëtar i COVID-it u krijua pa autorizim zyrtar në mars të vitit 2021, një vit pas vdekjes së parë të lidhur me virusin në Mbretërinë e Bashkuar, si një përfaqësim vizual të shkallës së humbjes gjatë pandemisë. Të humburit janë përfaqësuar me zemra të pikturuara me kujdes, që vullnetarët i rinovojnë çdo javë duke përdorur ngjyra të qëndrueshme.
Muri është krijuar nga grupet e aktivizmit COVID-19 Bereaved Families for Justice dhe Led by Donkeys, dhe tani mbështetet nga një grup vullnetarësh të njohur si “Miqtë e Murit”. Ministrja e Kulturës, Fiona Twycross, e përshkroi murin si një “kujtesë emocionuese dhe të fuqishme për shkallën e humbjes” dhe vuri në dukje rëndësinë e kujtimit të atyre që humbën jetën.
Ajo përmendi se shumë familje nuk patën mundësinë të thonë lamtumirë të dashurve të tyre dhe shprehu angazhimin që ata që humbën të mos harrohen. Po ashtu, Partia Laburiste njoftoi se do të vazhdojë të organizojë një ditë reflektimi çdo vit në mars dhe do të mbështesë krijimin e hapësirave të reja për refleksion, përfshirë mure memoriale.
Mbretëria e Bashkuar përballoi një nga shpërthimet më vdekjeprurëse të COVID-19 në Evropë. Qeveria konservatore e mëparshme, përfshirë atë të Boris Johnson, është kritikuar për veprimet e saj, veçanërisht për vonesat në vendosjen e mbylljes së vendit. Megjithatë, disa aspekte të përgjigjes kombëtare, veçanërisht në shpërndarjen e vaksinave, janë vlerësuar pozitivisht. Një hetim kombëtar mbi menaxhimin e pandemisë filloi dy vjet më parë dhe pritet të vazhdojë deri në vitin 2027.










