Një përplasje e re ndërkombëtare po shkaktohet nga një propozim i qeverisë së presidentit amerikan Donald Trump, i cili është bërë publik përmes raportimeve të mediave të huaja gjatë orëve të fundit.
Sipas planit të paraqitur në një projekt-statut për krijimin e një organizate të re ndërkombëtare me emrin Board of Peace (Bordi i Paqes), vendet që dëshirojnë të kenë një vend të përhershëm në këtë organ duhet të paguajnë të paktën 1 miliard dollarë si kontribut financiar.
Sipas projekt-statutit, çdo vend anëtar do të ketë një mandat deri në tre vjet, nëse nuk paguan shumën prej 1 miliard dollarësh brenda vitit të parë të funksionimit të Këshillit. Ky mandat trevjeçar mund të rinovohet vetëm me miratimin e presidentit të organizatës – rol që, sipas neneve të draftit, do ta mbajë vetë Donald Trump.
Logjika pas këtij propozimi, sipas raportimeve ndërkombëtare, lidhet me financimin e funksionimit dhe veprimtarisë së këtij institucioni të ri, i cili fillimisht paraqitet si i fokusuar në proceset e paqes dhe rindërtimit në Gaza, por që potencialisht mund të zgjerojë veprimtarinë edhe në zona të tjera konfliktesh. Vetë emërtimi dhe përmbajtja e kartës lënë hapësirë për një rol më të gjerë përtej Lindjes së Mesme.
Lëvizja ka shkaktuar tashmë reagime të forta. Kritika të shumta theksojnë se propozimi i ngjan përpjekjes për krijimin e një organizate të re ndërkombëtare, madje potencialisht konkurruese ndaj OKB-së, me një “biletë hyrjeje” të bazuar në kontribut financiar dhe me një rol qendror për Shtetet e Bashkuara.
Pikat kryesore të propozimit
Çdo shtet që kërkon pjesëmarrje të përhershme duhet të paguajë të paktën 1 miliard dollarë brenda vitit të parë për financimin e organizatës.
Pa këtë kontribut, vendet do të kenë vetëm një mandat trevjeçar, i cili varet nga miratimi i presidentit të Bordit.
Donald Trump parashikohet të ketë rol vendimtar në përbërjen dhe funksionimin e këshillit, përfshirë miratimin e rregulloreve dhe simboleve zyrtare të tij.
Vende evropiane dhe aktorë të tjerë potencialë thuhet se kanë marrë ftesa, ndërsa ka nisur tashmë një debat i fortë mbi përmbajtjen financiare dhe politike të nismës.
Nga ana e saj, administrata amerikane ka cilësuar disa prej raportimeve si keqinterpretuese, duke deklaruar se nuk ka konfirmuar zyrtarisht shumën apo detyrueshmërinë e “tarifës së hyrjes”.
Megjithatë, projekt-statuti për të cilin raportojnë disa burime është dokumenti që aktualisht qarkullon gjerësisht në mediat ndërkombëtare.











